Beqir SINA : Raport special nga Reçaku
U përkujtua këtë të mërkurë 26 vjetori i masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, ngjarje të cilën Serbia e mohon ende. Në ndërkohë që krerët e politikës se Kosovës, apeluan edhe sot për drejtësi……
Reçak Kosovë : Krerët e shtetit dhe të politikës në Kosovë përkujtuan masakrën e Reçakut në kompleksin memorial të ngritur në kujtim të viktimave këtë të mërkurë, (15 janar 2025). Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani i zhvilluan bashkë nderimet për viktimat.
Ndërsa pas tyre homazhe bën edhe diplomatët e huaj në Kosovë
Në këtë memorial kryen në këtë ditë homazhe edhe institucionet e larta shteterore të Kosovës, krerët e tjerë të partive politike Krasniqi, Haradinaj dhe Abdixhiku.
Krerët e politikës deklaruan se ata do të kërkojnë drejtësi për ngjarjen ndërsa e cilësuan atë si pikë kthese që çështja dhe lufta e Kosovës të merret vëmendje ndërkombëtare.
Homazhe në memorialin në Reçak zhvilloi edhe diplomati amerikan William Walker, ish shefi i misionit verifikues të OSBE në kohën e ngjarjes i cili e ka emërtuar si një krim shtetëror atë. Përmasat që ka marrë ndërgjëgjësimi për ngjarjen siç thotë i kanë lënë përshtypje.
“Dikur ka qenë një vend dhe memorial homazhesh i vogël por shoh sot se kanë ardhur njerëz nga e gjithë Kosova, madje mendoj që këtu ka njerëz nga e gjithë bota”, tha William Walker.
Masakra e Reçakut është një ndër ngjarjet më të përgjakshme të luftës së Kosovës, ku forcat e armatosura serbe vranë 45 civilë të pafajshëm mes tyre fëmijë. Ngjarja u pasua nga bombardimet 78 ditore të NATO-s në Serbi.
26 vite nga Masakra e Reçakut, Kurti: Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo beteja për drejtësi
Gjatë ceremonisë në përkujtim të masakrës së Reçakut, kryeministri Albin Kurti, duke iu referuar Serbisë, u shpreh se ka mbaruar lufta për çlirimin e vendit, por se nuk ka mbaruar beteja për drejtësi.
“Masakra e Reçakut ishte gjenocid ndaj popullsisë së Kosovës! Bashkë angazhohemi që historia e Kosovës dhe liria jonë të jenë shembull i forcës së popullit për të triumfuar mbi padrejtësitë.I përjetshëm qoftë kujtimi për secilën jetë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve” tha Kurti duke theksuar se autorët të marrin dënimin e merituar.
26 vjet më parë Masakra e Reçakut tronditi botën dhe nxiti reagimin ndërkombëtar
Gjithsej 45 civilë shqiptarë civilë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, gra dhe të moshuar, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme përreth fshatit Reçak të Shtimjes.
Masakra që ndodhi në Reçak të Komunës së Shtimës, në qendër të Kosovës, la 45 banorë të fshatit të vrarë dhe masakruar, megjithatë, ende vetëm një person mbetet i shpallur fajtor për pjesëmarrje në këtë masakër, nga gjykatësit e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.
Fillimisht, mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999 rreth orës 6:45 minuta banorët e këtij fshati u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe e cila filloi të sulmojë fshatin nga pozicione të ndryshme, ndërsa pas serisë së granatimeve, trupat serbe fillojnë bastisjet nëpër shtëpi, ku banorët tentuan të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar.
Më vonë, 24 burra të renditur në rresht derisa po ecnin bashkërisht nën përcjelljen e trupave serbe, të nxjerrë nga njëra prej shtëpive të fshatit ku po fshiheshin, ekzekutohen me automatikë nga afër dhe masakrohen tek lokacioni i njohur si “Gropa e Bebushit”.
Gjithsej 45 civilë shqiptarë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, gra dhe të moshuar, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme përreth fshatit.
William Wallker: “Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”
Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.
Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”.
Kjo, u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës, sepse bota demokratike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars 1999 filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s.
Për Masakrën e Reçakut, ish-ambasadori OSBE-së në Kosovë, William Walker, publikojë këtë përvjetor edhe librin e tij : “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker , një libër që dritën e botimit, si në anglisht ashtu edhe në shqip, e ka nga Libraria Dugagjini në Prishtinë, të sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës.
Walker e shkroi këtë libër , i cili u promovua mbrëmë në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, mbi jetën e tij por që në “thelb ” ky libër ka përvojën e tij personale si dëshmitar i kësaj masakre, siç u shpreh ai, “para se të shkoj në botën tjetër”.
Çështja e Masakrës së Reçakut u riaktualizua në dhjetor të vitit 2019
Çështja e Masakrës së Reçakut u riaktualizua si çështje diskutimi në dhjetor të vitit 2019, kur gjykata kosovare dënoi ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e komunitetit serb, Ivan Teodosijeviq, me dy vjet burgim, pasi u shpall fajtor për shkak se e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut.
Pas këtij vendimi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e quajti masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar dhe akuzoi ish-shefin e misionit të OSBE-së, Walker, për falsifikim të saj.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, pas deklarimit të Vuçiq, kishte thënë se Serbia po vazhdon përpjekjet për të mohuar rolin e saj në këtë masakër.
“Kur e vërteta është kaq e fuqishme si ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativat mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut e deri sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit serb në realizimin e masakrës së Reçakut”, ka thënë Kurti.
Masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak e kishte dënuar Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
Menjëherë pas luftës, në vitin 2001, gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviq me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak.
Stojanoviq ende mbetet i dënuari i vetëm për këtë masakër.
Në luftën e fundit 1998-99 në Kosovë llogaritet të jenë vrarë mbi 10 mijë njerëz, disa qindra mijëra të dëbuar nga vendi, dëme të mëdha materiale nga lufta, ndërsa ende nuk dihet fati i rreth 1.600 të zhdukurve.