Biri i Gjakovës Qazim Komani, Intelektuali dhe Luftëtari i Paepur i Lirisë dhe Shqipërisë Etnike

Jetëshkrim i përmbledhur

 

 

Nga Sokol Qazim Komani dhe  Lindita Sokol Komani

 

Qazim Komani lindi në Gjakovë më 17 janar 1895, në një familje e cila gjithnjë ishte flijuar për Shqipërinë etnike dhe për flamurin kombëtar. Duke i qëndruar besnik atij parimi dhe duke nderuar idealin gjithëkombëtar, në 1948, si i burgosur politik në burgun e Sremska Mitrovicës të Serbisë do t’i deklarojë patriotit Rustem Statovci: “Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për dy parime të shejta – për çlirimin e Kosovës dhe për mëmën Shqipëri”. “Qazim Komani u sakrifikua për Kosovën dhe Shqipërinë.” [1]

Si djalë i ri, në moshën 17-vjeçare u bashkua me forcat e Bajram Currit dhe hyri në Shqipëri në periudhën e luftës për pavarësi. Me formimin e shtetit shqiptar, bashkë me dhjetëra të rinj të tjerë, iu dha bursë nga shteti Italian për studime në mësuesi në kolegjin Italo-Shqiptar të Sant Adrianit në San Demetrio Corone, në Kalabri. Në Itali kreu gjithashtu shkollë ushtarake për oficer këmbësorie të cilën e përfundoi me gradën nëntoger.

Me t’u kthyer në Shqipëri, u emërua si mësues në Tiranë dhe bashkë me të tjerë arsimtarë kosovarë të mirënjohur si Ahmet Gashi, Sadi Pejani, Minush Shala, Sali Morina e të tjerë u angazhua për zhvillimin e arsimit dhe rritjen intelektuale të të rinjve në Shqipëri.

Në 1920 mori pjesë në forcat mbrojtëse të Kongresit të Lushnjës dhe në vijim edhe të rezultateve të këtij Kongresi. Mes të tjerash, bëri çmos bashkë me shokë që Elbasani të dërgonte një delegat në këtë kongres [2].

Në 1921 së bashku me arsimtarë të tjerë nga shkolla të Tiranës, Durrësit, Krujës, Kavajës dhe Shijakut, krijuan Sindikatën e parë të arsimtarëve shqiptarë dhe organizuan Kongresin e parë të arsimtarëve, të cilin ai e drejtoi në cilësinë e Kryetarit [3]. Në këtë kongres u miratua statuti i sindikatës.

Po në këtë periudhë u bë bashkëthemelues i shoqërisë jo-partiake “Djelmunia e Kosovës” dhe u zgjodh kryetar i saj. Kjo shoqëri mblidhte intelektualë të rinj kosovarë në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Krujë, Durrës, Shkodër, Vlorë) dhe në qytete të rëndësishme të Europës, të cilët në ndërveprim me njëri-tjetrin do të mundësonin zhvillimin arsimor dhe kulturor të rinisë shqiptare dhe çuarjen përpara të çështjes së Kosovës të mbetur nën zgjedhën jugosllave. Rexhep Mitrovica në një letër drejtuar Midhat Frashërit shkruante për Qazim Komanin dhe shoqërinë që ai drejtonte [4]:

“Me të vërtetë të kam shkruar shum por dua të shtoj edhe dy rrjeshta mbi çashtien e Bibliothekës.

Ministria e arsimit ka nji bibliothekë me 1800 libra, pa e mbushë mirë s’do t’a çpalli si bibliothekë populluar.

Asht nji tjetër qi ka marrë inisiativën shoqënia “Djelmunia e Kosovës” e cila asht formue për përmirsimin e shoqnis (social) shqiptare e qi nuk merret me politikë. Ka lidhnie edhe me Federatën e madhe “Atdheu”.

Veprat e pare të shoqnies do jen:

  1. Zhvillimi (evolution) i systemit Boy Scouts në çdo krahinë të Shqipnies
  2. Inisiativa për nji bibliothekë kombëtare.

Kan mbledhë mjaft libra të maret mendja bani korrespondencë me Kryetarin i cili quhet “Z. Qazim Komani”, mësues në shkollë qytetëse Tiranë.

Asht nji djal mjaft energjik e të mençëm. Dërgoju libra.”

Në shkurt të vitit 1922 u emërua toger dhe 2 muaj më vonë për merita të posaçme gradohet kapiten. Për aftësi e përkushtim në detyrë do të bëhet që në moshë të re major, nënkolonel, kolonel. Jeta e tij dëshmon që ka qenë gjithmonë një ushtarak i devotshëm për mbrojtjen e kushtetutës dhe shtetit shqiptar, duke mos u ndikuar nga ndasitë politike, shoqërore e fetare.

Me rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit në vitin 1924, largohet me patriotë të tjerë në Bari të Italisë, prej nga u kthye në Shqipëri pas një amnistie të shpallur nga qeveria shqiptare në 1925.

Nga 1925 deri 1927 punoi si profesor në Normalen e Elbasanit në lëndët e matematikës dhe gjimnastikës.

Nga 1928 deri 1939 ishte oficer karriere me detyra të rëndësishme në ushtrinë shqiptare ku u dallua për frymë të lartë patriotike dhe krenarie kombëtare. Prej vitit 1934 deri në 1939 shërbeu si Kryetar i Departamentit Ushtarak pranë Mbretit të Shqipërisë.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste u burgos për pak kohë dhe u internua në Cremona (Itali) për 2 vjet mbasi nuk pranoi të bëjë betimin dhe të shërbejë në ushtrinë italiane. Me kthimin nga internimi qëndroi pa punë gjatë gjithë viteve të pushtimit italian. Gjatë viteve të pushtimit italian mbajti qëndrim të deklaruar kundër pushtimit, ndërkohë që kishte një situatë ekonomike shumë të rëndë në familjen e tij të përbërë prej 9 vetësh.

Tetori i vitit 1943 kolonel Qazim Komanin e gjeti në Kosovë, ku kishte pranuar detyrën Komandant i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” me komandë në Prizren, megjithë problemet familjare dhe një gjendje jo të mirë shëndetësore. Detyra e “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” ishte që me forcat e saja të organizuara si ushtri e rregullt shqiptare, e qeverisë shqiptare të tetor 1943 – nëntor 1944, në frymën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me oficerë krejtësisht shqiptarë, të mbronte territorin e Kosovës duke mbrojtur kufijtë nga sulmet e forcave armiqësore që donin të depërtonin dhe pushtonin tokat shqiptare (prej Bihorit-Plavës-Gucisë e deri në Përpellac-Merdar-Prapashticë drejt Preshevës).

Në cilësinë e Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës vendosi një Kodeks (Statut) sjelljesh për forcat e armatosura kreshnike shqiptare:

“… për me e riorganizue fuqinë ushtarake dhe me e përgatitë kombin për sakrifica që do të kërkohen prej tij, për me u bë ballë fuqive të armatosuna të kombeve fqinjë në rast se mësyhen kufijtë tanë me qëllim përvetësimi të tokës sonë arbnore, për me lanë në një anë çdo armiqësi dhe marrje gjaku deri në mbarimin e luftës”.

Kodeksi përmbante më tej rregulla të sakta të sjelljes së ushtarakëve, detyrat dhe kufizimet ligjore në veprimet e tyre luftarake, për të ruajtur një ambient të respektimit të plotë të ligjit, të të drejtave civile të njerëzve, etnive, duke mos ndërhyrë në jetën politike e partiake.  

Forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës kishin në përbërje 3000 trupa të rregullta të quajtura “kreshnikët” dhe të sistemuara në dy regjimente në kuadër të ushtrisë shqiptare, njëri i vendosur në Pejë dhe tjetri në Prishtinë e Gjilan. Gjithashtu në forcat ushtarake përfshiheshin forcat vullnetare sipas vendimeve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në drejtimin e kësaj ushtrie bënin pjesë midis të tjerëve oficerët Seit Basha dhe Isa Kokalari si ndihmësa të komandantit Qazim Komani, ndërsa në regjimentet dhe njësitë aktive mund të përmenden kolonel Fuad Osmani (Dibra), Sulejman Mala, Gjon Martini, Ibrahim Kelmendi, Shefqet Shkupi, Nazif Hamiti, Qazim Gostivari e të tjerë dhe gjithashtu Mulla Idriz Gjilani dhe Shaban Polluzha me shokë, gjithnjë të udhëhequr nga Qazim Komani.

Kjo ushtri përballoi gjatë një viti me shumë sukses ruajtjen e kufirit dhe popullsisë, pronave dhe shtëpive dhe jetë normale të paprekur ashtu siç rezultoi në Kosovë deri në ditën e fundit të veprimit të saj. Kjo gjë u arrit me anë të shumë betejave kundër forcave çetnike si dhe ushtrisë së rregullt serbe të Nediçit, të cilat rezultuan në sukses të plotë, dhe me sakrifica të mëdha dhe jetën e shumë dëshmorëve, ushtarë, vullnetarë, popullatë e oficerë, të cilët meritojnë të nderohen përjetë.

Beteja më e lavdishme është ajo e bërë në frontin e Kolashinit ku kjo ushtri u ndesh kundër forcave të disa divizioneve të rregullta të ushtrisë së Nediçit, të pasjisura me artileri dhe armatimet më moderne të kohës. Kjo betejë vazhdoi për disa javë në një front të gjatë mbi 20 km dhe rezultoi në fitore të plotë ushtarake, duke i shkatërruar forcat serbe dhe duke i nxjerrë jashtë Kosovës. Kjo qe një fitore e armëve shqiptare, një disfatë e ushtrisë Jugosllave dhe Kosova shpëtoi ndoshta nga shfarosja e plotë. Sipas të gjitha të dhënave, të gjitha veprimet ushtarake të kryera në këtë betejë të madhe janë zhvilluar nën drejtimin në terren të komandantit Qazim Komani.

Në bazë të vlerësimit që kishte bërë ai dhe komanda, në planin e përgjithshëm të mbrojtjes së Kosovës, duke ndjekur hap pas hapi gjendjen ushtarako-politike të Kosovës dhe perspektivën që parashikohej, ai kishte vendosur që të gjitha forcat kryesore ushtarake shqiptare të përqendroheshin gradualisht në Drenicë. Këtu e ka burimin rezistenca e mëtejshme kundër ushtrisë jugosllave në vitin 1945 nga dëshmori Shaban Polluzha me forcat e tij. Ndërkaq, në vjeshtë 1944, me vendim të shtetit shqiptar ushtria e vendosur në Kosovë u shpërbë. Në muajin tetor 1944, kolonel Qazim Komani u thirr nga komanda në Tiranë, në dispozicion.

Pas disa ditësh, më 17 nëntor u arrestua nga komunistët në shtëpinë e tij në Tiranë, para familjes, dhe u mbajt në burg për disa muaj deri në gjyqin special që u zhvillua në muajt mars-prill 1945. Në gjyqin special, me asistencë avokati dhe të familjes, doli në tri seanca ku gjykata deklaroi se nuk vërtetohej asnjë fakt për krime dhe bashkëpunim me pushtuesin dhe veprimtari kundër lëvizjes nacional-çlirimtare dhe si rrjedhim nuk iu formulua dot as edhe një akuzë e vetme kundër tij. Pra Qazim Komani doli i pafajshëm nga Gjyqi Special i shtetit shqiptar, një nga gjyqet më të rrepta dhe ndëshkuese, që siç dihet nga dokumentet dënoi me pushkatim 17 personalitete dhe dënoi me burgime të rënda 60 të tjerë. Pra këtë kapitull të jetës së tij në Shqipërinë që e mikpriti dhe ku punoi në rrethana të ndryshme historike nga më të rëndat, e mbylli me nder.

Në pritje të lirimit të tij, që iu garantua familjes nga njerëz të pushtetit, papritmas kolonel Qazim Komanin e transferuan nga burgu i Tiranës për në Jugosllavi, në mënyrë tinzare dhe pa lajmëruar familjen, natën dhe në kundërshtim me ligjin. Deri tani nuk është gjetur asnjë dokument zyrtar ekstradimi nga ana e shtetit komunist shqiptar.

Historiania Sulltane Kojqiqi-Ukaj jep një kuadër të rëndësishëm për të gjykuar drejt mbi veprimtarinë e ushtrisë shqiptare në Kosovë, të cilën e drejtoi kolonel Qazim Komani si dhe veprimtarinë e nacionalistëve shqiptarë krahasuar me atë të lëvizjes nacional-çlirimtare (LNÇ). Ajo shkruan [5]:

“Nëse LNÇ-a ishte forca kryesore antifashiste dhe ka meritat e veta në luftë kundër okupatorit, nacionalistët shqiptarë janë meritorët në mbrojtje të kufirit të Kosovës nga çetnikët dhe komunistët serbo-malazez. Nuk mund të anashkalohet fakti se Kosova gjatë viteve 1941-1944 iu bashkua Shqipërisë dhe për katër vite u krijua një elitë intelektualësh që mori mbi vete barrën e kombit, u formua një administratë dhe një përvojë udhëheqëse, si kryetar bashkie, nënprefektë, prefekt, një ekonomi e një bujqësi që shënoi rritje, një arsim kombëtar (sepse më parë gati po harrohej fare gjuha shqipe) etj. Thënë shkurt pati një shtet shqiptar me funksionimin e gjithë sektorëve që bëjnë shtet.”

Më tej, po në atë faqe, ajo vijon:

“Dhe e gjithë kjo plojë e komunistëve jugosllavë u la në heshtje në emër të miqësisë shqiptaro-jugosllave. Bile, Enveri përdori agjenturën jugosllave për t’i eliminuar kundështarët e vetë. Nacionalistët shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri u eliminuan me krim të përbashkët, e reciprok, ndërsa ata që nuk përkuleshin mundohej t’i bënte mercenar. Në këtë dramë kombëtare pësuan figurat më eminente të kombit që kishin luftuar për çlirim dhe bashkim kombëtar. Një fat të tillë pati edhe Qazim Komani komandant i Ushtrisë Shqiptare në Kosovë në vitet 1943-1944.”

Kështu kolonel Qazim Komani iu dorëzua xhelatit Spasoje Gjakoviç, i cili i organizoi një proces gjyqësor në Prizren. U akuzua nga një gjykatë serbo-çetnike me akuzat se kishte qenë komandant i një ushtrie në kohë pushtimi, që kishte kryer krime kundër popullatës serbe dhe lëvizjes nacional-çlirimtare në bashkëpunim me gjermanët. Gjyqi në Prizren u bë pa avokat. Kolonel Qazim Komani u mbrojt vetë. Paralelisht me të, në të njëjtin gjyq, u gjykua edhe kolonel Fuad Dibra (i cili më vonë u ekzekutua), komandant i batalionit IV të Gjilanit.

Sikurse shprehet historiani i shquar Hakif Bajrami, në gjyq kolonel Qazim Komani do të tregojë se nuk mbrohej me fjalë, por padinë e kishte kthyer në akuzë të rëndë kundër një ideologjie e cila hiqej se është për drejtësi sociale e për barazi kombëtare, por në esencë demaskohej nga terrori i egër dhe dhuna që ushtronte kundër popullit shqiptar të Kosovës. Mes të tjerash, ai do të deklaronte:

“Si nëpunës dhe oficer i Shqipërisë isha i detyruar për të shërbyer atje ku e kërkonte kombi im. Fati më solli në Kosovë, për të shërbyer me nder.

Me gjithë popujt jam sjellë njerëzisht, pa dallim race e feje, për çka jam i lumtur, sepse gjatë procesit gjyqësor të montuar nuk u paraqit askush për të më ngarkuar.” [6]

Gjykata e Prizrenit më 15 maj 1946 e dënoi me vdekje. Për këtë dënim koloneli Qazim Komani paraqiti rekurs pranë Gjykatës së Lartë të Apelit në Beograd, ku kërkonte rishikim të dënimit të dhënë nga Gjykata e Prizrenit. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Prizrenit. Më vonë, me kërkesa të tjera nga familja organeve më të larta të shtetit jugosllav, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RFPJ, më 2 tetor 1946, ia zbriti dënimin me vdekje në burgim 20-vjeçar duke përfshirë edhe punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave politika dhe qytetare, përveç atyre prindërore në afat prej pesë vitesh. Ky vendim u nënshkrua nga Dr.Ivan Ribar [7], Kryetar i Presidiumit të Jugosllavisë. Falja e jetës ndodhi në sajë të mungesës së provave dhe interesimit të disa antifashistëve ndërkombëtarë.

Pas uljes së dënimit e dërguan në kampin famëkeq të Sremska Mitrovicës. Raif Halimi, i burgosur në të njëjtin burg, dëshmonte [8]:

“… merrnim vetëm nga 200 gr. bukë misri në ditë, nuk kemi lejuar asnjëherë të jepeshim e të merrnim diçka nga ato që s’ishin tonat. Më kujtohet një rast kur ishim mekur urie e në oborr qëndronin grumbull disa lakra si provokim, të gjithë e përmbajtëm veten e nuk bëmë asnjë gjest për grabitjen e tyre. Ka pasur shumë të vdekur nga uria. Me qindra u shuan dalëngadalë nga vdekja e bardhë, si i thoshim ne, por po i përmend vetëm disa: Haki Taipin nga Prizreni, Idriz Hogoshtin (hoxhë, shumë përparimtar dhe kombëtar), prof.Kolë Margjinin, Qazim Komonin (kolonel nga Gjakova), Njazi Çarkaxhiun nga Ferizaj, e shumë të tjerë.”

Historiania Sabile Keçmezi-Basha sjell aspekte të tjera të jetës së vështirë të të burgosurve në burgun Sremska Mitrovica, duke iu referuar krijimit të Organizatën Nacionale – Demokratike Shqiptare në këtë burg nga Raif Halimi, Ismet Boletini dhe Ramadan Rexha. Kjo organizatë ilegale  u vinte  në ndihmë të burgosurve që jetonin aty në kushte shumë të vështira. Ismet Boletini, nipi i heroit kombëtar Isa Boletini, dhe Maliq Sahiti gjatë qëndrimit në burg ishin përgjegjës për pastrimin dhe kjo u mundësonte kontakt me të gjithë burgosurit. Mes të tjerash [9]:

“… ata edhe iu ndihmonin duke iu dërguar cigare e fruta në qelit e tyre. Duhet përmendur se ndihmesë të madhe iu kishin dhënë: Kolë Mark Gjinit, Qazim Komonit, Shaqir Currit, Gani Beg Kryeziut, e shumë të tjerëve.”

Historiani Dr. Hakif Bajrami në studimet e tij, mbështetur në dokumente arkivore të mbledhura, disa prej të cilave u përmendën më sipër, tregon [10]:

I sëmurë rëndë nga torturat, për herë të fundit Qazim Komani do t’i nënshtrohet një kontrolli të vonuar prej mjekëve: Dr.Ridelli (gjerman), Dr.Franci (zviceran), Dr.Llangi (hollandez), të gjithë përfaqësues të Kryqit të Kuq. Këta mjekë humanistë do të konstatojnë diagnozën e sëmundjes së Qazim Komanit. Ajo sëmundje do të ishte: robëria e kombit të tij. Edhe në burg, në prani të të dënuarve politikë, Qazim Komani haptaz theksonte me një kushtrim burri të pamposhtur:

O Kosovë o tokë bekue

Gjithë për ty gjaku m’gufon

S’ka shqyptar kush TY t’harron”

Ai vdiq rreth muajit gusht 1950. Varri i tij nuk dihet.

Në letrën e fundit që i drejtonte nga burgu gruas së tij besnike mes të tjerave Qazim Komani shkruante:

“… Unë jam në spital ka tre muaj dhe përveç fatkeqësive çdo ditë më asht më keq. Ndonjë lajm katastrofik për mua mos të të kapi në befasi, sepse për ju ka kohë që nuk jam.

Nuk të kam lënë as pasuri, as borxh

Të jeni në mëshirën e Zotit

I yti…”

Zoti pati mëshirë për atë familje, por jo regjimi i Enver Hoxhës i cili këtij patrioti ia nxorri gruan me 6 fëmijë të vegjël në rrugë të madhe. Mbi ta do të rëndonin dhe vazhdonin pasojat e dënimit jugosllav, por tashmë për turp në shtetin shqiptar! Ishte i njëjti fat si për qindra e mijëra familje të tjera kosovare dhe shqiptare.

 

* * *

Me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1937, mbreti Zog i akordoi Qazim Komanit Urdhrin Skanderbeg.

Me dekretin nr. 547, datë 3 qeshor 1993, presidenti Sali Berisha dekoroi Qazim Komanin me urdhërin “Për Veprimtari Patriotike të Klasit të I-rë” me motivacion: “Udhëheqës, organizator i penës dhe pushkës për realizimin e programit të Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës”.

 

 

REFERENCA

[1] Hakif Bajrami, Me Rastin e Njëqindvjetorit të Lindjes së Qazim Komonit, Gazeta Bujku, 24 nëntor 1995, fq.7 / Gazeta Rilindja (Tiranë), 30 nëntor 1995, fq.12. Dhe: Sulltane Kojqiqi-Ukaj, Instituti i Historisë (Prishtinë), Revista Kosova, Nr.33/34, 2010/2011, fq.60.

[2] Dorëshkrim i Rexhep Jellës, nxjerrë nga AQSH, vënë në dispozicion nga historiania Enriketa Papa.

[3] Evans Drishti, Revista Mësuesi 9, 2010.

[4] Letër me shkrim dore e Rexhep Mitrovicës nga arkivi i Midhat Frashërit, vënë në dispozicion nga Z.Uran Butka, drejtor i Institutit “Lumo Skëndo”, hartues dhe botues i veprës së plotë të Midhat Frashërit.

[5] Sulltane Kojqiqi-Ukaj, Instituti i Historisë (Prishtinë), Revista Kosova, Nr.33/34, 2010/2011, fq.52.

[6] Shih edhe: Prokuroria publike e Prizrenit KAKM, Kutia 5, 1945/46.

[7] Sulltane Kojqiqi-Ukaj, Instituti i Historisë (Prishtinë), Revista Kosova, Nr.33/34, 2010/2011, fq.59.

[8] Gazeta Shkëndija, Hijet s’qëndrojnë në dritë, 14 nëntor 1991, fq.14.

[9] Sabile Keçmezi-Basha, Instituti i Historisë (Prishtinë), Revista Kosova, nr.39. 2014, fq.345.

[10] Hakif Bajrami, Me Rastin e Njëqindvjetorit të Lindjes së Qazim Komonit, Gazeta Bujku, 24 nëntor 1995, fq.7 / Gazeta Rilindja (Tiranë), 30 nëntor 1995, fq.12.

 

 

Kolonel Nandori

 

  1.  

 

Petalet e natës

lënë gjurmë në sa vjen.

 

Krejt rrugët e qytetit,

krejt orët e ditëve të muajve

më çojnë në nandor.

 

Më çojnë

në vetën e parë

njerëzore

që rrjedh.

 

Ku të gjej sy

për të mos parë?

 

Ku të gjej gojë

për të heshtur?

 

Ku të gjej zemër

për të pushuar?

 

  1.  

 

Fli paqe,

nderur rrinë vajet.

 

Do të vijë çasti

kur të trokasin

në portën tënde.

 

Do të jenë pastruar rrugët

nga gjethet e luftërave

dhe ushtria do të kthehet

në vatrën e ngrohtë.

 

Fëmijët do të zënë prehrin

e kolonel Nandorit

e do të rriten me të.

 

Gjithkush e di

se jeta është me ta.

 

  1.  

 

Frika

bën fajtorët

të vrasin të gjallët.

 

Por e vërteta rritet

në një pemë

të pastinë.

 

Pranë Zotit

e paburgosshme

ajo vë përpara kohën

 

Dhe sa bukur për të,

askush nuk e di

se si.

 

 

Lindita Komani

Ia kushtoj gjyshit tim Qazim Komani.

Nëntor 2016

 

Comment

*