Tiranë, 17 janar 2025 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi të premten kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha për të shpallur jokushtetuese vendimet për masën e sigurisë “arrest shtëpie” të të tri shkallët e gjyqësorit.
Gjykata Kushtetuese nuk arriti të shprehte një qëndrim lidhur me kërkesën e Berishës, pasi katër prej 8 anëtarëve të saj votuan “pro” dhe katër të tjerët votuan “kundër”. Një vendim i Gjykatës Kushtetueses është i vlefshëm nëse mbështetet nga të paktën 5 anëtarë të gjykatës.
Prej muajit shtator, kjo gjykatë është me një anëtar më pak, për shkak të dorëheqjes së anëtares Elsa Toska.
Zotit Berisha iu caktrua masa e sigurisë “arrest shtëpie” në fund të vitit 2023. Para kësaj mase, Gjykata e Posaçme ia kishte caktuar Berishës masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Zoti Berisha kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e gjykatës, me arsyetim për këtë masë duhet të kishte më parë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Berisha i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së kësaj mase, por Kushtetuesja e kishte vlerësuar të drejtë vendimin e gjykatës.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme ia hoqi Berishës masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por, në fillim të këtij vitipas ankesës së Prokurorisë së Posaçme, , Gjykata e Apelit, ia caktoi Berishës masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore.
Zoti Berisha është marrë i pandehur për çështjen e privatizmit të ish klubit sportiv Partizani, ku sipas prokurorisë, ai favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit mbi të cilin u ngrit me pas një kompleks pallatesh. Ndaj tij është ngritur akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish kryeministri Berisha e ka shfrytëzuar postin zyrtar, teksa ka miratuar ligje dhe akte nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit për të mundësuar privatizimin e kompleksit sportiv.
Prokuroria pretendon se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që këto të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Malltezi, po ashtu i akuzuar, sikundër dhe tre persona të tjerë ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Hetimet ndaj z. Berisha kanë përfunduar dhe Prokuroria e Posaçme e ka përcjellë dosjen për gjykim.
(r.m.)