Donald Trump bëhet presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara

Uashington, 20 janar 2025 – Donald Trump bëri betimin si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.

Ndërkaq, në fjalimin e tij të parë si president, ai përsëriti zotimet e tij gjatgë fushatës zgjedhore.

“Epoka e artë e Amerikës fillon tani”, tha Donald Trump “Amerika së shpejti do të jetë më madhështore”, tha ai.

Sikurse ka thënë vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore, ai përsërtiti se “do ta vendosë Amerikën në vend të parë”.

“Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”, tha ai.

“Sovraniteti ynë do të rifitohet, siguria jonë do të rikthehet, peshorja e drejtësisë do të ribalancohet”, theksoi Trump.

Ai  theksoi edhe një herë vendosmërinë e administratës së tij që të luftojë imigracionin ilegal në SHBA. Ai tha se që sot do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv, përmes të cilit do të shpallë emergjencë kombëtare në kufirin e SHBA-së me Meksikën.

Trump tha se të gjitha hyrjet e paligjshme të imigrantëve “do të ndalohen menjëherë” dhe se qeveria e re amerikane do ta fillojë menjëherë procesin e riatdhesimit të miliona “të huajve kriminelë”.

Trump foli edhe për trajtimin e inflacionit dhe të rritjes së kostos së energjisë, gjë që ishte pikë qendrore e fushatës së tij zgjedhore. Ai tha se do t’i udhëzojë të gjithë anëtarët e kabinetit që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre “për të mposhtur inflacionin” dhe “për të ulur me shpejtësi kostot dhe çmimet”.

Trump përsëriti edhe premtimin se administrata e tij do t’i shtojë shpimet për naftë dhe gaz në tokën amerikane.

“Amerika do të jetë komb prodhues sërish”, tha Trump, duke shtuar se vendi i tij “ka më shumë naftë dhe gaz natyror se çdo vend tjetër në tokë”.

Trump foli edhe për planet e tij për industrinë e automobilave. Ai tha se Amerika do të prodhojë sërish automobila “me një ritëm që askush nuk mund ta ketë ëndërruar vetëm disa vite më parë”.

Trump e përsëriti qëndrimin e tij edhe lidhur me Kanalin e Panamasë. Ai tha se Amerika “nuk do të lejiojë” që ky kanal të kontrollohet nga Kina.

Trump paralajmëroi investime të reja në hulumtimet në hapësirë. Ai tha se Amerika do të arrijë së shpejti edhe në Mars.

Trump tha se Zoti ia ka shpëtuar jetën për ta bërë Amerikën madhështore sërish. Ai tha gjithashtu se rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë dëshmon se asgjë nuk është e pamundur.

“Unë qëndroj para jush si dëshmi se nuk duhet besuar se ka diçka që është e pamundur të bëhet. Në Amerikë, ne e bëjmë më së miri të pamundurën”, theksoi ai.

“E ardhmja është e jona dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar”, tha Trump në mbyllje të fjalimit të tij në ceremoninë e betimit.

Para Presidentit Trump e bëri betimin edhe zëvendëspresidenti DJ Wance

Ceremonia e betimit të Presidentit Trump u zhvillua në Kapitol, në praninë e rreth 600 të ftuarve e mysafirëve të lartë. Ceremonia tradicionale e betimit në ambient të hapur u anulua për shkak të motit shumë të ftohtë në Uashington DC. Po për këtë arsye u anulua edhe parakalimi tradicional i inaugurimit të Presidentit të SHBA-së rrugës Pensilvania, nga Kapitoli në Shtëpinë e Bardhë.

(r.m.)

Comment

*