Kosova e kujtoi Presidentin Rugova, në 19 vjetorin e vdekjes

Prishtinë, 21 janar 2025 – Kosova e kujtoi e nderoi sot Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, figurën qendrore të historisë së Kosovës në rrugëtimin e saj për liri, pavarësi e demokraci.

Udhëheqësit e institucioneve shtetërore, liderët e subjekteve politike, bashkëveprimtarët dhe bashkëmendimtarët e tij e vlerësuan si zërin e vullnetit politik të popullit të Kosovës dhe si  vizionarin e shtetit modern të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Akademinë Përkujtimore, tha se Presidenti Rugova i dha dimensione të reja kuptimore politikës.

This image has an empty alt attribute; its file name is Vjosa-Osmani-ne-Akademine-Perkujtimore-per-Ibrahim-Rugoven-640x400.jpg

“Presidenti Rugova ishte një politikan vizionar, një filozof e mendimtar i thellë dhe një lider që i dha politikës kosovare dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human, por edhe dimensionin kulturor, të pashembullt në historinë tonë moderne. Artitekti i pavarësisë e pa Kosovën jo vetëm si një projekt politik, por si një amanet historik. Si një aspirat të natyrshme të një populli që vuante e luftonte për liri. Ai ndërtoi një lëvizje paqësore të rezistencës, të bazuar në dialog, në urtësi dhe besim se demokracia dhe vlerat perëndimore do të triumfonin mbi dhunën e regjimit gjenocidal të Millosheviqit dhe do të triumfonin mbi padrejtësitë shekullore ndaj popullit tonë”, tha Osmani.

Ajo tha se Presidenti Rugova e vendosi çështjen e Kosovës në tryezën e diplomacisë bdërkombëtare dhe ia dha asaj legjitimitet të plotë ndërkombëtar.

“Politikbërja e Rugovës ishte një strategji e guximshme dhe e rrallë në historinë e kësaj pjese të botës. Ai besonte se forca më e madhe e një kombi ishte vullneti i tij për liri dhe drejtësi, dhe se nuk ka forcë që mund të triumfojë kundër vullnetit të një populli për të jetuar i lirë”, tha ajo.

Presidentja Osmani theksoi se Presidenti Rugova nuk e pa kurrë politikën si mjet për karrierë politike, por si mjet për t’i shërbyer popullit të tij dhe për të afirmuar të drejtën e popullit të Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

“Përtej kësaj, Rugova e konceptoi politikën si mission, të cilin e kreu me devotshmëri të pashembullt”, theksoi Presidentja Osmani.

This image has an empty alt attribute; its file name is Fatmir-Sejdiu-ne-Akademine-Perkujtimore-per-Ibrahim-Rugoven-640x400.jpg

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Presidenti Rugova ishte dhe mbetet lideri e burrështetasi më i respektuar dhe më i vlerësuar i Kosovës nga ndërkombëtarët.

“Në takimet e shpeshta që i kam pasur dhe i kam edhe tani me zyrtarë ndërkombëtarë, që nga ambasadorë, diplomatë, politikanë dhe intelektualë,pothuajse gjithmonë flitet me respekt për presidentin Rugova, për veprën e tij, për rolin dhe kontributin e tij thelbësor, si arkitekt dhe ndërtues i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës”, tha Sejdiu.

“Vizioni i tij për të ardhmën e Kosovës shprehej në formulimin ‘Kosova e pavarur e demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai përsëriste se ky është vullnet i popullit të Kosovës dhe kjo është zgjidhje e qëndrueshme që do ta qetësojë këtë pjesë të Evropës Jug-lindore”, theksoi Sejdiu.

“Si njeriu me vision të qartë të shtetndërtimit, edhe në kohët më të vështira për Kosovën e okupuar,  Presidenti Rugova kishte vision të qartë për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit”, tha Sejdiu në Akademinë Përkujtimore për Presidentin Rugova.

Në mëngjes, Presidentja Osmani, bashkë me diplomatë të huaj në Kosovë, bënë homazhe dhe  vunë kurora lulesh te varri i Presidentit Rugova. Ndër të tjera, ajo theksoi se Presidenti Rugova ndërtoi aleancat me botën demokratike në kohët më të vështira për Kosovën.

“Presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës rreth kauzës për liri, pavrësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë edhe zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të rëndësishme që na u deshën më së shumti në ato kohë të vështira”, tha Osmani.

Ajo theksoi se vizioni i Presidentit Rugova sot shërben si udhërrëfyes për liderët shtetërore të Kosovës, por edhe për liderë kudo në botë.

Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare.

(r.m.)

 

Comment

*