Opozita malazeze e bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

Podgoricë, 21 janar 2025 – Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e bllokoi seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025.

Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij.

“Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, tha Mandiq.

Ai paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim.

Mandiq nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca.

Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, i marrë po atë muaj. Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.

Opozita malazeze kërkon edhe nënshkrimin e marrëveshjes me pushtetin për të mos e ndryshuar Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe as Ligjin për shtetësinë malazeze, siç kërkojnë partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, të udhëhequr nga Andrija Mandiq.

Konkretisht, ato kërkojnë që serbishtja të bëhet gjuhë zyrtare, duke u barazuar kështu me gjuhën malazeze, dhe liberalizim të shtetësisë, përkatësisht t’u mundësohet edhe shtetasve të vendeve fqinje të bëhen shtetas malazezë.

Përveç opozitës, këto kërkesa i kanë kundërshtuar edhe partitë shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi.

Kryeministri Millojko Spajiq tha se për këtë do të vendoset me konsensusin e të gjitha palëve. Por, opozita tha se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*