Tiranë, 22 janar 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 22 janar sekuestrimin e dhjetëra milionë eurove pasuri të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, mes të cilave edhe 10 milionë dollarë të investuar prej tyre në kriptovaluta.
Dy vëllezërit Çopja akuzohen si krerët e njërës prej organizatave kriminale më të përfolura në vend, të përfshirë në vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe skema komplekse të pastrimit të parave.
Në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme të 28 nëntorit të vitit të kaluar, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim edhe me EUROPOL, policinë Federale të Belgjikës, të Hollandës e Spanjës, gjatë dy muajve të fundit kanë kryer sekuestrim preventiv të vlerave të kriptovalutave në kuleta kriptovalutash në vlerën e mbi 10 milionë dollarëve amerikanë. Për mundësimin e sekuestrimit të kësaj vlere njoftohet se ka bashkëpunuar një kompani globale që merret me menaxhimin e kriptovalutës ‘stablecoin’ si dhe një exchange i njohur në rang botëror, që menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash.
Po ashtu, janë sekuestruar dy llogari bankare në emër të hetuarit M.M., me vlerë totale rreth 105 mijë euro dhe dy llogari të tjera bankare në emër të të proceduarit B.L., me vlerë totale më shumë se 27 mijë euro.
Në kuadër po të këtij hetimi, SPAK ka njoftuar më parë sekestrimin e një shume të madhe parash cash në valuta të ndryshme dhe lekë, në një vlerë totale mbi 1 milion euro.
Me kërkesë të prokurorisë janë sekuestruar dhe pasuri të shumta të paluajtshme dhe të luajtshme, mes të cilave tre vila me troje me sipërfaqe totale prej 334.7 m2 në Farkë të Tiranës; katër garazhe po në një kompleks në Farkë të Tiranës; një hotel me sipërfaqe ndërtimi 233.3 m2 dhe sipërfaqe totale 340 m2; tre pasuri të llojit tokë-arë në Vile-Ballaj të Kavajës; njësi shërbimi në Tiranë me sipërfaqe totale 241 m2; truall në Elbasan; tokë arë në Qeparo të Vlorës me sipërfaqe 1300 m2 dhe tokë kullotë po në Qeparo me sipërfaqe 28 mijë e 970 m2; një apartament në Golem të Kavajës; një apartament dupleks në Tiranë; dy troje në Farkë të Tiranës; si dhe katër pasuri të tjera të paluajtshme të llojit tokë-arë.
Nën sekuestro është vendosur dhe operatori ekonomik E B Sh.p.k, si dhe llogaritë bankare dhe pronat e kësaj shoqërie.
Prona të tjera të sekuestruara janë dhe ish-vila “Gjuta”, me përbërje tre njësi banimi e sipërfaqe trualli dhe një apartament, të ndodhura në “Rrugën e Elbasanit” në Tiranë.
Në gusht të vitit të kaluar, SPAK në bashkëpunim me Europol dhe policitë partnere goditën organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja, e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë dhe të akuzuar për 6 vrasje, disa atentate, trafik narkotikësh, korruptim të zyrtarëve të drejtësisë dhe grabitjen e bujshme me armë të parave në aeroportin e Rinasit.