Kosova nënshkruan Marrëveshje për Tregti të Lirë me EFTA-n

Davos (Zvicër), 22 janar 2025 – Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me shtetet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në ceremoninë e nënshkrimit, anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,kanë thënë se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme.

“Marrëveshja ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave. Produktet me origjinë nga Kosova do të mund të eksprotohen në vendet e EFTA-s dhe kompanitë vendore nuk do të kenë nevojë që të paguajnë tarifë doganore për to”, thuhet në njoftim.

Deri më tani, prodhuesit vendorë janë detyruar që të paguajë deri në 10 për qind tarifë shtesë doganore.

Sipas njoftimit, marrëveshja është arritur pas më shumë se dy vjetësh negociata. Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, ka thënë se Kosova është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, i ka përfshirë edhe shërbimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes shtetit të tij dhe anëtarëve të EFTA-s.

“Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Ai ka thënë se është i bindur se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët e Kosovës.

Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, ka thënë se kjo marrëveshje është arritje e madhe për integrimin e Kosovës në sistemin global.

“Jam e bindur se kjo do të shtyjë përpara rritjen ekonomike, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe qytetarët në të dyja palët”, tha ajo.

Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4 për qind dhe rënie të inflacionit. Por, shteti përballet me nivel të lartë të importit, krahasuar me atë të eksportit.

“Me lidhjen e Marrëveshjes për Tregti të Lirë mund të presim që tregtia të rritet edhe më shumë”, ka thënë Myrseth.

Ajo ka thënë se vitet e fundit, tregtia mes shteteve të EFTA-s është rritur shumë dhe ka arritur në mbi 176 milionë euro

Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë edhe me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA). Kjo marrëveshje, ku bëjnë pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia, synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve.

(r.m.)

Comment

*