Davos, 23 janar 2025 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë parandaluese të aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe do t’i kushtonte asaj triliona euro për ta rikthyer besueshmërinë.
NATO-ja është duke e rritur praninë përgjatë krahut lindor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainës, pasi i ka dërguar atje mijëra trupa dhe pajisje për ta frenuar Moskën nga përhapje e luftës së saj edhe në territoret e ndonjërit prej 32 anëtarëve të aleancës.
“Nëse Ukraina humb, atëherë për ta rikthyer fuqinë frenuese të pjesës tjetër të NATO-s, çmimi do të jetë shumë, shumë më i lartë sesa ai që po e shqyrtojmë në këtë kohë në lidhje me rritjen e shpenzimeve dhe të prodhimit tonë industrial”, tha Rutte.
“Nuk do të jenë miliarda shtesë; do të jenë triliona shtesë”, shtoi ai, duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj Putinit, për të cilin shpesh ka folur me admirim.
Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.
Një ditë më herët, ai sugjeroi se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.
Dhe më 20 janar, në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Trump tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022.