Një gjykatës federal e bllokon përkohësisht urdhrin e Presidentit Trump për të drejtën e shtetësisë përmes lindjes

Uashington, 23 janar 2025 – Një gjykatës federal e bllokoi të enjten përkohësisht urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për ripërcaktimin të drejtës së shtetësisë përmes lindjes, duke e cilësuar atë “qartësisht jokushtetues” gjatë seancës së parë në çështjen e ngritur nga disa shtete, për të hedhur poshtë urdhrin.

Gjykatësi John Coughenour e ndërpreu vazhdimisht përfaqësuesin ligjor të Departametit të Drejtësisë gjatë seancës dëgjimore, për ta pyetur se si mund ta konsideronte vendimin kushtetues.

Kjo ishte seanca e parë dëgjimore për rastin e ngritur nga shtetet Arizona, Illinois, Oregon dhe Uashington për pezullimin e zbatimit të urdhrit ekzekutiv. Kjo është një nga 5 paditë e ngritura nga 22 shtete dhe nga disa grupe për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve në gjithë vendin.

Paditë përfshijnë dëshmi personale nga prokurorët e përgjithshëm, të cilët janë shtetas amerikanë në bazë të drejtës së shtetësisë përmes lindjes si dhe emrat e grave shtatzëna që druhen se fëmijët e tyre nuk do të mund të bëhen shtetas amerikanë.

Gjykatësi Coughenour, i emëruar nga ish- Presidenti Ronald Reagan, e nisi seancën dëgjimore duke u bërë një seri pyetjesh avokatëve të administratës duke thënë se urdhri “është i paimagjinueshëm”.

“Ky urdhër bie hapur ndesh me Kushtetutën”, i tha gjykatësi Coughenour zotit Shumate.

Gjykatësi tha më tej se nuk i kujtohej që në thuajse 4 dekada të kishte shqyrtuar ndonjë rast tjetër ku vendimi që kundërshtohej të ishte qartazi kaq anti-kushtetues.

Përfaqësuesi ligjor Shumate tha se, me gjithë respektin, nuk binte dakord me të dhe i kërkoi gjykatësit që të ofrohej mundësia që palët të paraqesin të gjitha argumentet e tyre, në vend që të jepte vendimin për të bllokuar për një periudhë 14 ditore zbatimin e urdhrit ekzekutiv.

Duke argumentuar në emër të shteteve, ndihmësprokurori i përgjithshëm i Uashingtonit, Lane Polozola, tha se urdhri ekzekutiv do të ketë ndikim tek qindra mijëra qytetarë në mbarë vendin që do të humbasin shtetësinë e tyre sipas këtij rregulli të ri.

“Lindjet nuk mund të pezullohen ndërsa gjykata e shqyrton këtë çështje”, u shpreh ai.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump, të cilin ai e firmosi ditën e inaugurimit të tij, pritet të hyjë në fuqi më 19 shkurt. Sipas njërës prej padive të depozituara, urdhri mund të ketë ndikim tek qindra mijëra njerëz që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara. Sipas padisë së depozituar në gjykatën e qytetit Sietëll nga 4 shtetet (Arizona, Illinois, Oregon dhe Uashington), në vitin 2022 lindën 225 mijë fëmijë nga nëna që jetonin ilegalisht në SHBA dhe rreth 153 mijë fëmijë me të dy prindërit ilegal në vend.

This image has an empty alt attribute; its file name is Donald-Trump-e-tregon-njerin-nga-dekretet-e-para-te-neshkruara-prej-tij.jpg

Administrata e Presidentit Trump, në dokumentet e depozituara të mërkurën, argumentoi se shtetet nuk kanë arsye për të ngritur padi kundër urdhrit dhe se ende nuk është bërë asnjë dëm, kështu që nuk ka pse kërkohet pezullim i përkohshëm i urdhrit eksekutiv. Avokatët e administratës sqaruan gjithashtu se urdhri zbatohet vetëm për personat e lindur pas 19 shkurtit, kur ai do të hyjë në fuqi.

SHBA-ja është në mesin e rreth 30 vendeve, mes të cilave janë edhe Kanadaja dhe Meksika, ku e drejta e shtetësisë garantohet përmes lindjes. Amendamenti 14 i Kushtetuetë së Shteteve të Bashkuara thotë: “Të gjithë personat që kanë lindur ose janë natyralizuar në SHBA dhe janë nën juridiksionin e saj, janë shtetas të SHBA-vë dhe të shtetit ku ata banojnë”.

Në urdhrin e zotit Trump thuhet se fëmijët e shtetasve jo amerikanë nuk janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë federale urdhërohen të mos ua njohin shtetësinë fëmijëve që nuk e kanë të paktën njërin nga prindërit shtetas amerikan.

(Zëri i Amerikës)  

Comment

*