Kroacia i këshillon qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Serbi

Zagreb, 23 janar 2025 – Ministria e Jashtme e Kroacisë i ka këshilluar shtetasit kroatë që të mos udhëtojnë në Serbi, nëse kjo nuk është e domosdoshme.

Ky hap i Qeverisë së Kroacisë ka ardhur pas një fushate të gjatë të akuzave, fyerjeve dhe keqtrajtimeve të disa qytetarëve të Kroacisë të cilët kanë udhëtuar në Serbi.

Në mesin e tyre janë edhe pesë aktiviste të shoqërisë civile, shtetase të Kroacisë, që po merrnin pjesë në një konferencë të organizuar nga fondacioni “Erste” në Beograd. Ato janë arrestuar nga policia e Serbisë në një hotel në Beograd, janë marrë në pyetje, janë dëbuar nga Serbia dhe u është ndaluar hyrja në Serbi, me akuzat se ato “paraqesin rrezik për sigurinë e Serbisë”.

Sipas dëshmive të këtyre grave, ato ishin arrestuar nga policë me rroba civile dhe ishin transportuar me automjete civile, pa shenja të policisë, gjë që u kishte shkaktuar frikë dhe ankth.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ka thënë se lidhur me këto raste i ka dërguar Serbisë notë proteste dhe e ka njoftuar edhe Bashkimin Evropian.

Tri aktivistet e shoqërisë civile nga Kroacia ishin në mesin e 13 aktivistëve të shoqërisë civile nga nëntë shtete të  rajonit që po merrnin pjesë në një punëtori të organizuar nga Fondacioni gjerman “Erste”. Mes tyre ishin edhe dy shtetas të Shqipërisë.

(r.m.)

Comment

*