Beograd, 24 janar 2025 – Në qytetet më të mëdha të Serbisë të premten u mbajt një grevë e përgjithshme. Greva është ftuar nga studentët dhe qytetarët që prej më shumë se dy muajsh i bllokojnë fakultetet dhe disa shkolla të mesme, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.
Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.
Studentët u kanë kanë bërë thirrje punonëtorëve që frikësohen nga reagimi i punëdhënësve të tyre, që “të marrin ditë pushimi, të hapin pushim mjekësor ose të dhurojnë gjak”.
Më shumë se 200 kompani e kishin konfirmuar që më parë se do ta ndërprejnë punën në shenjë solidariteti me studentët dhe me kërkesat e tyre.
Mbështetje për studentët kanë ofruar edhe shumë personalitete publike – aktorë, këngëtarë, sportistë e punonjës të medias, si edhe qytetarë të profesioneve të tjera, si: avokatë, gjyqtarë, prokurorë, mjekë, edukatorë, etj. Kërkesat e studentëve mbështeten edhe nga politikanë të opozitës, ndonëse ata nuk kanë dale në krye të protestive të organizuara nga studsentët.
Përveç thirrjes për grevë, studentët në Beograd, Novi Sad e qytete të tjera të Serbisë kanë vazhduar protestat dhe bllokimin e rrugëve. Në Novi Sad bllokimi i rrugëve nga studentë e qytetarë ka filluar në orën që më 1 nëntor është rrëzuar streha e stacionit të trenit, e cila u mori jetën 15 qytetarëve.
Një vajzë është lënduar në Novi Sad, nga një makinë që e ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh që e kishin bllokuar trafikun. Ajo është dërguar për trajtim mjekësor në një qendrën e emergjencës, kurse shoferja e makinës, sipas policisë, është ndaluar për 48 orë, si e dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me qeveritarë dhe me besnikë të tij, po përpiqen të diskreditojnë protestën e studentëve. Sipas tyre, në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.
Vuçiq ka paralajmëruar disa herë edhe mundësinë e organizimit të manifestimeve mbështetëse për veten e tij dhe për qeverinë e tij. Madje, ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e organizimit të një referendumi ku qytetarët e Serbisë do të deklaroheshin nëse duan që ai të vazhdojë ta udhëheqë edhe më tutje Serbinë, gjë që nga studentët dhe nga opozita është cilësuar si një tjetër “blof” i Vuçiqit.
Të premten, në një tubim me mbështetës të tij në Jagodinë, Vuçiq ka njoftuar për një tjetër përpjekje për minimizimin e shkallës së pakënaqësisë qytetare në Serbi me qeverisjen e tij. Ai njoftoi për themelimin e të ashtuquajturës “lëvizje për popullin dhe shtetin”. Sipas tij, në Serbi ka gjëra me të cilat ai nuk është i kënaqur dhe lëvizja do të ndihmojë përmirësimin e tyre.
Sipas Vuçiqit, kjo lëvizje është e hapur “për të gjithë qytetarët e Serbisë, pavarësisht përkatësisë partiake”.
“Të gjithë jeni të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen për ndryshimet e mëdha”, ka thënë Vuçiq.
Në Jagodinë, përkrah Vuçiqit, ka qenë edhe Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Brendshme dhe udhëheqës i Partisë Socialiste të Serbisë. Ai e ka mbështetur themelimin e “lëvizjes” nga Vuçiqi.
“Nuk duhet të lejojmë që armiku të krijojë përçarje mes nesh, qytetarëve të Serbisë. Ne nuk duam luftë civile. Ne duam paqe dhe zhvillim”, ka thënë Daçiq.
(r.m.)