Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi Anastas Janullatos

Tiranë, 25 janar 2025 – Kisha Ortodokse e Shqipërisë njoftoi se Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka ndërruar jetë.

Janullatos, 95 vjeçar, ka ndërruar jetë në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, për shkak të funksionimit të pamjaftueshëm të organeve vitale.

Kryepeshkopi Janullatos ishte i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të Spitalit “Evangelismos” pas operacionit që iu nënshtrua më 10 janar. Ai nuk ka mundur t’u mbijetojë përpjekjeve të stafit të spitalit për ta nxjerrë nga intubimi.

Janullatos u shtrua në një spital të Tiranës më 30 dhjetor, me simptoma të infeksionit të rëndë. Ai u tranferuar në Athinë për trajtim më të specialuzar më 3 janar, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.

Kisha Ortodokse e Shqipërisë e cilëson Janullatosin “rindërtues dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Njoftimi i plotë i Kishës Ortodokse të Shqipërisë:

“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.

Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.

I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!

(r.m.)

Comment

*