Tiranë, 28 janar 2025 – Arkëmorti me trupin e pajetë të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka mbërritur në Tiranë të martën pasdite.
Qindra besimtarë ortodoksë janë mbledhur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për t’i bërë homazhe udhëheqësit më jetëgjatë të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, i cili u nda nga jeta të shtunën në mëngjes, në spitalin “Evangelismos” të Athinë.
Kambanat e katedrales binin gjatë gjithë kortezhit, ndërsa besimtarët e shumtë e mbuluan arkëmortin me lule dhe degë dafine, të cilat simbolizojnë paqen dhe mirësinë.
Arkëmotri me trupin e pajetë të Kryepeshkopit Janullatos mbërriti në Shqipëri të martën në mëngjes, përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Pas një ceremoni nderimi që u zhvllua aty, arkëmorti u bart në Kishën Ortodokse në Gjirokastër, ku iu bënë homazhe nga dhjetëra besimtarë ortodoksë.
Homazhet në nderim të Kryepeshkopit Janullatos do të zgjasin 2 ditë.
Në homazhe do të marrë pjesë edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, bashkë me 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar, si edhe shumë autoritete shtetërore, politike e fetare në Shqipërisë dhe të huaj.
Ceremonia mortore dhe përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet të enjten, më 30 janar, prej orës 11.00. Në ceremoni do të marrin pjesë të gjitha mitropolitë e vendit, përfaqësues të ambasadave të huaja në Shqipëri, një delegacion nga Vatikani, si edhe përfaqësues të komuniteteve tjera fetare. Pjesëmarrjen në ceremonitë mortore e kanë paralajm՞ruar edhe Patriarku i Izraelit, Patriarku i Aleksandrisë, Patriarku i Qipros dhe përfaqësues të lartë të Kishave të Krishtera nga mbarë bota.
Në nderin të Kryepeshkopit Janullatos,Kisha Ortodokse e Shqipërisë shpalli 5 ditë zie kishtare, ndërsa në krye të kësaj kishe u zgjodh mitropoliti i Korçës, Imzot Joani.
![](https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2025/01/Arkemorti-me-trupin-e-Kryepeshkopit-Janullatos-ne-Katedralen-Ngjallja-e-Krishtit-Tirane.jpg)
(r.m.)