Netanyahu: Izraeli e ktheu Hamasin “me vite prapa”

Tel Aviv, 19 maj 2021 – Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se bombardimi nëntëditor ndaj Gazës “e ka kthyer Hamasin me vite prapa”. Ai ka thënë se është i sigurtë se militantët e Hamasit do të nxjerrin mësime nga reagimi izraelit ndaj sulmeve të tyre.

“Nuk kam asnjë dyshim se ne i kthyem ata për shumë vite prapa. Jam i sigurt se të gjithë armiqtë tanë e shohin çmimin që kemi për agresionin kundër nesh. Jam i sigurt se ata do ta mësojnë mësimin”, ka thënë Netanyahu, citon Radio Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se sulmet ndaj objektivave të militantëve palestinezë do të vazhdojnë, siç është shprehur, “derisa të rivendoset qetësia për qytetarët izraelitë”.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka deklaruar se, deri të martën pasdite, militantët palesyinezë i kanë hedhur rreth 3.300 raketa në Izrael, prej të cilave 450 deri 500 kanë dështuar.

Ushtria izraelite dhe grupet militante palestineze në Gaza kanë vazhduar të shkëmbejnë zjarr edhe gjatë ditës së sotme.

Në orët e para të mëngjesit, Izraeli ka kryer disa sulme ajrore, shumicën e tyre në qytetin Kan Junis. Sipas raportimeve, dy militantë palestinezë janë vrarë nga bombat që e kanë goditur një apartament në qendër të qytetit të Gazës.

Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, Ocha, ka raportuar se 52.000 banorë të Gazës janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Shumica prej tyre janë strehuar në shkollat e OKB-së.

Në të njëjtën kohë kanë vazhduar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund dhunës ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.

Të martën, Franca, në bashkërendim me Egjiptin dhe Jordaninë, paraqiti në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një projekt-rezolutë që bën thirrje për armëpushim. Por, projekt-rezoluta nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit.

SHBA-ja, BE-ja dhe fuqitë tjera bënë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Egjipti kërkoi të ndërmjetësojë midis palëve për të siguruar një armëpushim.

(r.m.)