Hamasi i liron edhe tetë pengje izraelite

Han Gazë, 30 janar 2025 – Grupi palestinez Hamas i ka liruar të enjten edhe tetë pengje izraelite dhe ia ka dorëzuar Kryqit të Kuq në Gazë.

Më vonë gjatë ditës, Izraeli pritet të lirojë 110 palestinezë të burgosur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vendosur që 110 palestinezët do të lirohen pas “lirimit të sigurt” të pengjeve, pas lirimit të tyre kaotik në Gazë.

Agram Breger, ushtar 20-vjeçar, u lirua i pari në kampin e refugjatëve Xhabalia në veri të Gazës dhe dy orë më pas u liruan dy izraelitë dhe pesë tajlandezë, të cilët iu dorëzuan Kryqit të Kuq në Han Junis.

Ky është lirimi i tretë i pengjeve që kur hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit më herët gjatë këtij muaji.

Marrëveshja për armëpushim ka në qendër përfundimin e luftimeve, që nisën më 7 tetor 2023 mes Izraelit dhe Hamasit, dhe lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi, por edhe qindra palestinezëve të burgosur në Izrael.

Sipas marrëveshjes, qindra mijëra palestinezë po ashtu janë kthyer në veri të Gazës gjatë tri ditëve të fundit.

(Radio Evropa e Lirë)  

Comment

*