Në Tiranë iu dha lamtumira e fundit Kryepeshkopit Anastas Janullatos

Tiranë, 30 janar 2025 – Qindra besimtarë dhe personalitete kishtare dhe shtetërore u bashkuan sot në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë në mosëhn 95 vjeçare në një spital të Athinës.

Liturgjia hyjnore e më pas shërbesat e varrimit u kryen brenda katedrales, sipas traditave shumëshekullore të kishës, e cila shpalli pesë ditë zie në nderim të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas për shërbimet mbi 32 vjeçare në krye të saj.

Mbikëqyrësi i Fronit Kryepeshkopal, Mitropoliti i Korçës, at Joan Pelushi tha se vepra e Kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e kishës ortodokse në Shqipëri është sa madhështore aq edhe unike.

“Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtuan dhe u restaurua e gjithë infrastruktura kishtare, u hapën kopshte, shkolla e institute profesionale, si dhe u mbështet arsimi publik. Kulmi i kontributit të tij ishte themelimi i kolegjit universitar Logos, institucioni i parë i arsimit të lartë ortodoks në Shqipëri”, tha at Joani.

Anastas Janullatos u zgjodh kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë në mesin e vitit 1992, kur Shqipëria dhe gjithë bashkësitë fetare sapo kishin dalë nga diktatura komuniste, e cila ndaloi besimet si dhe vrau e burgosi qindra klerikë e besimtarë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, bishop Hajnrih Bedford Strohm, tha se “kryepeshkopi Anastas ishte një udhëheqës i jashtëzakonshëm, ndaj e duan në Shqipëri, sepse ai punoi shumë për njerëzit dhe për besimin e tyre, e njëkohësisht ishte një nga klerikët ortodoksë me më shumë ndikim në botën e krishterë”.

Ndërsa patriarku ekumenik, Bartolome, kryepeshkop i Konstandinopjës tha se “shtylla e madhe e kishës ortodokse në Shqipëri, ka rënë, teksa Kryepeshkopi Anastas, një shërbëtor i përkushtuar i besimit ka ndërruar jetë, duke sjellë dhimbje të thellë”. Ai tha se pas persekutimit që regjimi ateist u bëri të krishterëve, e kur ai regjim ra, kryepeshkopi Anastas solli shpresë në Shqipëri, vendosi themelet e kishës dhe formoi klerikët e rinj.

Në ceremonitë nderuese për kryepeshkopin Anastas morën pjesë patriarkë dhe kryepeshkopë nga disa vende të botës, priftërinj, murgj e murgesha, përfaqësues të bashkësive të tjera fetare, trupit diplomatik, autoritetet më të larta të shtetit dhe politikës shqiptare, presidenti, kryetarja e Kuvendit dhe kryeministri Edi Rama.

Zoti Rama vlerësoi sakrificat e kryepeshkopit Anastas në krye të kishës dhe në shërbim të besimtarëve, që i gjeti të shpërndarë të plagosur e të vrarë nga regjimi komunist.

“Në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jete kushtuar ngjalljes, duhet thënë pa farë dyshimi se, në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vjet më parë si një prift nga Greqia, dhe pas 33 vjetësh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”, tha zoti Rama.

Përkrah autoriteteve shqiptare, në ceremonialin nderues për kryepeshkopin Anastas mori pjesë kryeministri i Greqisë, Kyriakos Micotaqis, së bashku me disa ministra të kabinetit qeveritar.

“Duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë, kryepeshkopi Anastas hodhi themelet e kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë, hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirësie, dhe bëri një mrekulli të vërtetë mes rrënojave, ndaj e vajtojnë si grekët edhe shqiptarët dhe shumë njerëz në Shqipëri e në botë, pavarësisht fesë dhe kombësisë”, tha kryeministri Micotaqis.

Kryepeshkopi Anastas drejtoi ringritjen e kishës dhe besimit ortodoks në Shqipëri, si dhe ndërtimin e rreth 500 objekteve të kultit. Ai vlerësohet po ashtu si një veprimtar i njohur i harmonisë ndërfetare në Shqipëri, krahas angazhimeve fetare, arsimore dhe humanitare.

(Zëri i Amerikës)  

Comment

*