Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both
Agjensia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve të emigracionit (ICE) është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet në përmbushjen e këtij misioni si brenda ashtu dhe pranë ndërtesave të gjykatave. ICE dhe departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) janë agjenci federale që dërgojnë agjentë/oficerë për të ndaluar dhe deportuar njerëz “të deportueshëm” brenda komunitetit, përfshirë këtu dhe ndërtesat e gjykatave. ICE pretendon se veprimet e ndërmarra për zbatimin e ligjit brenda ose pranë gjykatave shpesh bëhen kur autoritetet lokale ose forcat e rendit që kanë juridiksion për të vepruar, refuzojnë të bashkëpunojnë me ICE-in, përfshirë këtu dhe rastet kur ICE paraqet kërkesë që personat që mbahen në paraburgim të transferohen dhe t’i kalojnë direkt ICE-it.
Me ndërhyrje për zbatimin e ligjeve të emigracionit civil nënkuptohet çdo veprim i ndërmarrë nga një oficer ose agjent i ICE-it për të kapur, arrestuar, intervistuar ose kontrolluar një person të huaj për shkelje administrative të ligjeve të emigracionit. Një politikë e tillë nuk gjen zbatim në rastet kur bëhet fjalë për akte kriminale që lidhen me emigracionin, raste këto kur arrestimet mund të bëhen brenda ndërtesës së gjykatës.
Nëse ju vetë ose një anëtar i familjes suaj jeni të shqetësuar lidhur me mënyrën sesi të veproni dhe të komunikoni me ICE-in, kini parasysh që keni të drejtë të rrini në heshtje ose të thoni se doni të flisni me një avokat. Mund të jetë me rrezik nëse i përgjigjeni pyetjeve në lidhje me statusin tuaj të imigracionit, ku keni lindur ose si keni hyrë në SHBA.
Nëse ICE ju vjen në shtëpi, duhet të dini që me kushtetutë gëzoni disa të drejta. Mos firmosni asgjë pa folur më parë me një avokat. Keni të drejtë të flisni me një avokat. Nëse ndodheni jashtë shtëpisë, pyesni agjentin nëse jeni i lirë të largoheni dhe nëse ata thonë po, largohuni me qetësi.
Oficerët e ICE-it kanë bërë arrestime në sallat e gjyqit, holle, korridore, zona private dhe jashtë ndërtesës së gjykatës. ICE ka ardhur më shpesh në gjykatat penale, por ka qenë i pranishëm edhe në gjykatat familjare. ICE pretendon se këto operacione përfshijnë veprime kundër të huajve që janë piketuar për arsye mes së cilave mund të përmendim: Kërcënim i sigurisë kombëtare ose i asaj publike; Të huajt të posaçëm që kanë marrë dënime penale; anëtarë bandash kriminale; Të huajt të cilëve u është dhënë urdhër të largohen nga Shtetet e Bashkuara, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë; dhe/ose të huaj që kanë rihyrë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht pasi kanë qenë dëbuar më parë.
ICE zakonisht identifikon një individ të caktuar që paraqitet për të dalë në gjyq, dhe shkon aty i pajisur me një “urdhër administrativ” të nënshkruar nga një mbikëqyrës, jo nga një gjyqtar. Ky urdhër u lejon agjentëve të ndalojnë personin në fjalë pasi është konfirmuar më parë që ai/ajo është individi që përmendet në dokument.
Edhe të huajt e tjerë që janë gjendur brenda ose pranë një ndërtese gjykate gjatë një ndërhyrjeje të ICE-it – si p.sh. anëtarë të familjes ose miq që kanë shkuar ta shoqërojnë të huajin “e piketuar” [nga ICE] në gjykatë ose për t’i dalë dëshmitar në një proces – gjithashtu mund të kthehen në subjekte që duhet t’i nënshtrohen aksionit të ndërmarrë nga ICE për zbatimin e ligjit civil të emigracionit. Diçka e tillë ndodh rast pas rasti dhe duke marrë parasysh tërësinë e rrethanave.
ICE pretendon se veprimet e tij duhet, brenda mundësive praktike, të vazhdojnë të kryhen në zona jopublike të ndërtesës së gjykatës, në bashkëpunim me stafin e sigurisë së gjykatës si dhe të përdoren hyrjet dhe daljet jopublike të ndërtesës së gjykatës. Nëse është e mundur, oficerët dhe agjentët e ICE-it do të ndërmarrin veprimet që kanë për qëllim zbatimin e ligjeve të emigracionit civil ndaj të huajve “të piketuar”, në mënyrë diskrete për të minimizuar ndikimin që këto veprime mund të kenë në procedurat gjyqësore.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]