Prishtinë, 3 shkurt 2025 – USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar një grant me USAID-in, i cili ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synon ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.
Deri para ngrirjes së fondeve, USAID-i në Kosovë ka qenë duke financuar një mori aktivitetesh. Aty përfshihen:
- ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
- ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
- ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
- ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
- ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
- ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
- ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.
Kreshnik Shehu, një përpunues i drurit në Kosovë, i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se ndihma e SHBA-së ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e eksporteve të kësaj lënde.
Kompania e Shehut, ashtu si edhe sektori i drurit në përgjithësi në Kosovë, kanë përfituar nga financimet e USAID-it.
“Në vitin 2014, eksportet në sektorin tonë ishin 2.5 milionë euro”, ka thënë Shehu për Radion Evropa e Lirë.
“Sot, ato janë më shumë se 150 milionë euro. Kjo tregon se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kontributi i USAID-it ka qenë shumë i madh. Ai ka qenë një faktor vendimtar në rritjen e këtij sektori”, ka shtuar Shehu.
“Nëse ajo ndihmë nuk do të ekzistonte, do të kishim mbetur shumë vite prapa”, ka thënë Shehu, kompania e të cilit e ka selinë në qytetin e Drenasit.
“Ne ende kemi nevojë për të, sepse ende nuk jemi rritur sa duhet për të përballuar konkurrencën e pabesueshme në tregun ndërkombëtar”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pati thënë po ashtu se USAID-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit të Kosovës.
“USAID-i vazhdon të ndihmojë shoqata dhe biznese të shumta, përfshirë ndërmarrje të udhëhequra nga gratë, kompani të teknologjisë informative dhe biznese të orientuara nga eksporti”, ka thënë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, USAID-i ka ndihmuar edhe në uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ka qenë i rëndësishëm në ofrimin e ndihmës për gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet tregtare, që përfshinin eksportet dhe importet në tregjet serbe dhe rajonale. Pra, përveç nxitjes së zhvillimit ekonomik, USAID-i ka luajtur një rol jetik në uljen e tensioneve mes dy vendeve”.