Osmani udhëtoi për në Uashington, ku do të takohet me kongresmenë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit

Prishtinë, 5 shkurt 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë.

Presidenca e Kosovës njoftoi se zonja Osmani do të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit dhe do të mbajë fjalimin kryesor në njërën nga e këtij organizimi të Kongresit amerikan.

“Në kuadër të kësaj ngjarjeje, e cila mbledh mijëra kongresistë, politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë bota, Presidentja Osmani do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtar në kuadër të Drekës Ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Presidenca njoftoi gjithashtu se zonja Osmani do të zhvillojë takime me kongresistë amerikanë dhe me zyrtarë të administratës së SHBA-së. Në njoftim thuhet se në fokus të këtyre takimeve do të jenë “forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe avancimi i aspiratave euro-atlantike të vendit tonë”.

Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, zakonisht të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj. Ngjarja përcillet me një fjalim nga presidenti i SHBA-së.

Më herët Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi në uebsajtin e vet se Osmani do të takohet me zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis L. Bono.

Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin dhe ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të përhershëm të SHBA-së në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Presidentja Osmani, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në fund të vitit të kaluar, bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve të Kosovës me vendet aleate, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i ka quajtuar aleat dhe partner strategjik të Kosovës. Ajo theksoi se cenimi i raporteve me aleatët e cenon vetë shtetin ne Kosovës.

(r.m.)

Comment

*