SPAK kërkon dënime minimale për incineratorin ‘fantazmë’ të Tiranës

Tiranë, 7 shkurt 2025 – Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të premten më 7 shkurt kërkimet përfundimtare në çështjen penale në ngarkim të 8 prej 12 pandehurve për aferën e incineratorit të Tiranës, të cilët kanë kërkuar gjykimin e shkurtuar, prej nga përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit.

Në gusht të vitit të kaluar, SPAK përfundoi hetimet për këtë çështje dhe kërkoi kalimin për gjykim të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe zyrtarëve të tjerë,  Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tolas, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria i akuzon zyrtarët se kanë kryer veprime të kundraligjshme me procedurat e lidhjes së kontratës së koncesionit të gushtit 2017, Kontrata u lidh mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., por incineratori nuk u ndërtua asnjëherë.

SPAK kërkoi deklarimin fajtor të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe dënimin e tij me 4 vjet burg – dënim i cili reduktohet në 2 vjet e 8 muaj në aplikim të gjykimit të shkurtuar. E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu. Po ashtu, u kërkua dhe vendosja e dënimit plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.

Për të pandehurit Jetmir Llapaj, Sidita Kopliku dhe Valbona Ballgjini u kërkua dënimi me nga dy vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare e dënimit mbetet 1 vit e 4 muaj heqje lire. Për dy të pandehurat Ballgjini dhe Kopliku, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për 4 vjet. Edhe në këtë rast, u kërkua caktimi i dënimit plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

SPAK i akuzon anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha e Namik Simixhiu se së bashku me Kokën, drejtoren e drejtorisë juridike në Ministrinë e Mjedisit, Alba Thoma dhe përgjegjësin e sektorit të prokurimeve, Bledar Karoli, kanë propozuar dhënien e bonusit për shoqërinë, pa hartuar më parë një raport përmbledhës, si dhe pa sqaruar kostot e projektit. Po ashtu, nuk është përcaktuar se si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e këtij bonusi. Në vijim ata kanë përgatitur dhe dërguar në Këshillin e Ministrave projektvendimin për dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës së shoqërisë propozuese.

Sipas prokurorisë, shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura. Prokuroria thotë se kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, që e kanë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Incineratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për trajtimin e mbetjeve urbane. Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së incineratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar dhe për aferat në dy incineratorët e tjerë, të Elbasanit dhe Fierit.

(Reporter.al)