Zgjedhjet në Kosovë: Nis votimi i mërgimtarëve në përfaqësitë diplomatike

Prishtinë, 8 shkurt 20125 – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se mërgimtarët kosovarë që janë regjistruar për votim për Zgjedhjet Parlamentare të  Kosovës kanë nisur votimin nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nӕ vendet ku jetojnë e punojnë ata.

Qendra e parë e votimit është hapur në ambasadën e Kosovës në Turqi, kurse qendrat që do të mbyllen të fundit do të jetë ato në përfaqësitë diplomatike të Kosovë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington dhe Nju Jork) dhe në Kanada (Otava dhe Toronto).

Votimi ka nisur ose do të nisë në orën 07:00, sipas kohës lokale, kurse do të përfundojë në orën 19:00.

Ministrja Gërvalla ka publikuar një videoregjistrim nga qendra e votimit në Cyrih të Zvicrës. Aty shihet radhë e gjatë e votuesve para vendvotimit të hapur në ambientet e kosullatës së Kosovës.

Zonja Gërvalla i gëzohet pjesëmarrjes së madhe të mërgimtarëve në zgjedhje.

“Cyrih. Ora 08:04, temperatura -1 gradë. Ju dua shumë, aq sa nuk po di ta përshkruaj me fjalë”, ka shkruar Gërvalla.

Ambasada e Kosovës në Londër ka njoftuar se edhe atje është hapur qendra e voltimit për votuesit e regjistruar, Në njoftim flitet për pjesëmarrje të mirë të votuesve atje.

“Qytetarët e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në Londër, duke shënuar një moment historik në procesin zgjedhor. Votimi filloi në orën 07:00 dhe po vazhdon me pjesëmarrje të mirë të bashkatdhetarëve tanë. Nëse jeni të regjistruar, mos e humbni këtë mundësi historike – dilni dhe votoni”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Londër.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se në orën 7:00 të mëngjesit janë hapur qendrat e votimit në shtetet evropiane, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada do të fillojë në orën  7:00 sipas kohës lokale ose në 13:00, sipas orës së Evropës qendrore.

“Në orën 13:00 sipas kohës lokale të Kosovës planifikohen të hapet edhe procesi i votimit në ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Uashington deri në konsullatën e Nju Jorkut, gjithashtu edhe në ambasadën e Kosovës në Kanada, respektivisht në Otavë, si dhe në konsullatën e Torontës”, tha Elezi.

Ai njoftoi se votimi do të zhvillohet në gjithsej 43 vendvotime.

“Procesi i votimit do të zhvillohet në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasada dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme”, shtoi Elezi.

Ai tha se mbi 20 mijë votues janë paraqitur për votim në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

“Numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar në këto 30 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës është 20 mijë e 324. Sqarojmë se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve e cila është dërguar në përfaqësitë diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi”, tha ai.

KQZ e ka publikuar edhe listen e qendrave të votimit dhe numrin e votuesve të paraqitur për votim. 

Votuesit kosovarë që gjenden jashtë Kosovës kanë aplikuar edhe për votim me postë. Një pjesë e tyre i kanë dërguar me postë votat e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se mërgimtarët duhet të paraqesin një document identifikimi valid për të realizuar të drejtën e votës.

Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare do të mbahen të dielën, më 9 shkurt.

(r.m.)