Vendet e ‘Quintit’ kërkojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Prishtinë, 19 maj 2021 – Pesë vendet më të  zhvilluara perëndimore, të njohura si vendet e “QUINT-it,  kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Shefat e misioneve diplomatike të këtyre vendeve (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe) në Kosovë, përmes një komunikate të përbashkët, kanë thënë se qeverisë së re të Kosovës “iu dha një mandat i fuqishëm për reforma dhe për respektim të sundimit të ligjit”.

Sipas tyre, provë kryesore e vendosmërisë së kësaj qeverie do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

“E inkurajojmë atë (Qeverinë) që pa vonesa të vazhdojë me procesin e regjistrimit të pronës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

(r.m.)