Prishtinë, 12 shkurt 2025 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përsëritur edhe një herë se kjo parti do ta respektojë preferencën e popullit të Kosovës dhe do të qëndrojë në opozitë.
Abdixhiku, në një status në “Facebook”, ka thënë se qëndrimet e LDK-së mbeten po ato që janë shprehur natën e zgjedhjeve, menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare.
“… siç e thashë në konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka të tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca, sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalës është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!”, ka shkruar ai.
Sipas tij, vendimet në LDK merren në mënyrë kolegjiale nga strukturat drejtuese.
“LDK është shtëpi e demokracisë”, ka theksuar ai.
Abdixhiku ka thënë se LDK i ka fituar 180 mijë vota, 80 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021. Ai e ka cilësuar këtë si “arritje të jashtëzakonshme”.
“LDK nuk i ka fituar zgjedhjet, do të donim këtë në veçanti ne, këtë e dijmë, por LDK pritet ti shtojë plot 80 mijë vota e kapërcimi prej 12 në 20% do të vërtetohet si arritje e jashtëzakonshme. Prisni pak ditë. Ne nuk e kemi nisur garën as me 50% as me 20%. Ishim vetëm 12%! Sot, mbështetemi në qytetarinë që na jep edhe qetësi edhe shtytje për rrugëtimin e ri”, ka theksuar kryetari I LDK-së.
(r.m.)