Tiranë, 13 shkurt 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kërkoi të enjten deklarimin fajtor të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë. Goro akuzohet në këtë çështje se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë në favor të privatëve, prona të zotëruara nga një shoqëri e Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili fitoi statusin e investitorit strategjik. Këto pasuri janë sekuestruar po me kërkesë të SPAK.
Prokurori Ols Dado kërkoi që ish-kryebashkiaku Jorgo Goro të dënohet me 3 vjet burg. Po ashtu, kërkoi konfiskimin e tokave të sekuestruara që ishte përcaktuar të përdoreshin për investimin strategjik, si dhe të një apartamenti të Goros. Dado kërkoi që të deklarohen fajtorë dhe dy të pandehurit e tjerë, Jerasimo Bashi dhe Vezir Gjikolaj. Për Bashin u kërkua 3 vjet burg dhe për Gjikolajn 2 vjet heqje lirie.
Sipas hetimit të prokurorisë, Goro ishte pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit.
Në një tjetër episod u konstatuan paligjshmëri në konfirmimin një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë, krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Goro gjendet në burg prej marsit të vitit të kaluar. Ndërkohë, SPAK kërkoi pak ditë më parë gjykimin e tij për një tjetër çështje. Në këtë rast ai akuzohet për shpërdorim detyre së bashku me dy vartës të tij, lidhur me procedurat e marrjes së tokës nga familjet bujqësore, si dhe në procedurat e kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.