Mynih, 14 shkurt 2025 – Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar për herë të parë me Përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen.
Presidentja Osmani, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë të ditur se gjatë takimit, në Mynih të Gjermanisë, është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për pritshmërinë nga dialogu me Serbinë.
Ajo ka thënë se udhëheqja e Kosovës do të vazhdojë të punojë bashkë me aleatët për përmbylljen me sukses të dialogut me njhohje të ndërsjellë, duke theksuar mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.
Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Dialogu Kosovë-Serbi është dfutur në ngërç për shkak se palët refuzojnë të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, për të cilën janë pajtuar në Bruksel. Serbia ka thënë se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, ndërsa Kosova kundërshton zbatimin selektiv të marrëveshjes.
Beogradi zyrtar këmbëngul në zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, me kompetenca ekzekutive, ndërsa Prishtina e kundërshton çfarëdo strukture që do të cenonte rendin kushtetues të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit.
(r.m.)