Munih, 14 shkurt 2025 – Nënpresidenti amerikan JD Vance tha sot se kërcënimi më i madh që i kanoset sot Evropës është tërheqja nga disa prej vlerave të saj më themelore, që ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komentet zoti Vance i bëri gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë që mbahet në Mynih.
“Kërcënimi që shqetësohem më shumë se i kanoset Evropës nuk është Rusia, nuk është Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm, ajo për të cilën shqetësohem është kërcënimi nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore, vlerat e përbashkëta që ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Nënpresidenti amerikan u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të rrisin në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për mbrojtjen e kontinentit, teksa Amerika siç tha ai, përqendrohet në zonat e botës që janë në rrezik të madh.
“Kjo është një konferencë sigurie dhe jam i sigurt që të gjithë keni ardhur këtu të përgatitur për të folur rreth mënyrës se si synoni konkretisht të rrisni shpenzimet për mbrojtjen gjatë viteve të ardhshme në përputhje me një objektiv të ri. Dhe kjo është fantastike sepse siç e ka bërë shumë të qartë Presidenti Trump, ai beson se miqtë tanë evropianë duhet të luajnë një rol më të madh në të ardhmen e këtij kontinenti. Keni dëgjuar termin ndarje të barrës. Ne mendojmë se është një pjesë e rëndësishme e të qenit në një aleancë të përbashkët, pra qe evropianët të rrisin sigurinë ndërsa Amerika përqëndrohet në zona të botës që janë në rrezik të madh”, tha ai.
- Vance akuzoi administratën pararendëse se është përpjekur t’i mbyllë gojën njerëzve për të thenë atë që mendonin. Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë nën drejtim e Presidentit Trump do të bëjë të kundërtën, duke lënë pajtimet dhe mospajtimet, të bëhen publike. Zoti Vance ripërsëriti thirrjen e Uashingtonit që Evropa të bëjë më shumë për të siguruar mbrotjen e saj.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Nënpresidenti Vance ka të drejtë “plotësisht ” kur flet për nevojën që Evropa të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj.
“Është diçka që duhet bërë. Ne duhet të shpenzojmë shumë më tepër. Por duhet të diskutojmë gjithashtu edhe mbi ritmin e prodhimin në industrinë e mbrojtjes. Sigurisht që ky është një problem që e hasim si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në pjesën tjetër të NATO-s. Ne thjesht nuk po prodhojmë mjaftueshëm. Ne nuk po ecim me të njëjtin hap si rusët apo kinezët”, tha zoti Rutte, gjatë një takimi dy palësh me zotin Vance, në Munih.
Ukraina dhe perspektiva për bisedimet e paqes, ishin në vëmendjen kryesorë të.
Nënpresidenti JD Vance, në një intervistë për gazetën ‘Wall Street Journal’, tha se Uashingtoni do t’i përdorë mjetet ekonomike dhe ushtarake për të siguruar një marrëveshje të mirë të paqes në Ukrainë. Zëdhënësi i tij William Martin sqaroi më vonë se komentet e zotit Vance nuk ishin ndonjë kërcënim ndaj Moskës. Ai tha se ënnpresidenti vetëm e bëri të qartë faktin se askush nuk do t’ia heqë nga dora Presidentit Trump opsionet që ai i ka, ndërsa nisin negociatat për paqe mes Kievit dhe Moskës.
(Sipas Zërit të Amerikës)