Kosova kremton 17 vjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 17 shkurt 2025 – Kosova e kremtoi sot 17 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Manifestimet solemne e festive filluan me ngritjen e flamurit shtetëror dhe vazhduan me mbledhjen solemne të qeverisë, me homazhet te varri i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe te memorialet e dëshmorëve e martirëve të lirisë dhe u përmbyll me parakalimin tradicional të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

Në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës ritheksuan se pavarësia e Kosovës është fryt i luftës politike dhe luftës së armatosur të popullit të Kosovës, si edhe i mbështetjes së miqve dhe aleatëve të Kosovës.

“Në këtë 17-vjetor të shtetit tonë ne jemi këtu sepse qëndruam dhe rezistuam. Ne jemi sot këtu sepse qëndruam e rezistuam, sepse luftuam e sakrifikuam e nuk u përkulëm kurrë para dhunës, padrejtësisë e mizorive. Jemi këtu sot sepse ia dolëm të ringritemi, ta ndërtojmë e ta forcojmë shtetin tonë dhe falë ushtrisë e policisë që sot parakalojnë para qytetarëve arritëm ta mbrojmë çdo pëllëmbë të shtetit tonë”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo tha se historia e Kosovës nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve të saj.

“Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tan, Falenderimi ynë i përjetshëm shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n, për shtetet evropiane dhe demokracitë gjithandej botës, si edhe për të gjithë miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe na ndihmuan që ta bëjmë të mundur lirinë dhe pavarsinë”, tha Osmani.

Kryeministri Albin Kurti tha se historia e krijimit të shtetit të Kosovës është një nga historitë e reja më frymëzuese, .

“Republika e Kosovës njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por ai mund te jetë shteti me përpjekjen më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. Teksa po e shënojmë 17 vjetorin le t’i kujtojmë të gjitha gratë dhe burrat që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë që e gëzojmë sot. Ne jemi popull autokton, që do të thotë se historia nuk na fillon e as na mbaron me asnjërin brez”, ka shtuar Kurti.

 Ai tha se Republika e Kosovës është rezultat i protestave qytetare, demonstratave popullore, grevave të punëtorëve e të minatorëve, dhjetëra mijëra të burgosurve politikë që kaluan qindra shekuj nëpër burgje si edhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndihmuar nga aleatët perëndimorë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti e cilësoi si “akt sipëror” të deputetëve dhe krerëve të atëhershëm të shtetit aktin solemn të shpalles së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

“Republika e Kosovës është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të të zgjedhurve të popullit të saj, emrat e përveçëm të të cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës, si dhe nga krerët shtetërorë ë asaj kohe: Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe Kryeministri Hashim Thaçi”, tha Kurti.

Nga ceremonia e parakalimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, liderët shtetërorë të Kosovës përcollën mesazhe të fuqishme për gatishmërinë e popullit të Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.

“Kosova nuk është vetëm një copë toke. Është frymë, shpirt dhe mision i përhershëm. Nuk është vetëm një shtet me histori, por simbol i dinjitetit dhe i sakrificës së pashembullt për liri. Kushdo që guxon ta vë në dyshim këtë realitet, le ta dëgjojë zërin e popullit të kosovës sot. Kosova është dhe mbetet atdheu ynë i përjetshëm”, theksoi Osmani. 

Ajo theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht prej dallimeve, janë të bashkuar përballë sfidave të mundshme për republikën, siç kanë qenë gjatë rrugëtimit për liri e pavarësi.

“Sot ne të gjithë jemi bashkë, populli i Kosovës feston si një dhe me krenari. Pavarësisht dallimeve, pavarësisht sfidave, pavarësisht pengesave që janë vënë në rrugën tonë, ne jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të bashkuar për atdheun tonë, republikën tonë të dashur”, theksoi Presidentja Osmani.

“Republika e Kosovës sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë – jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre”, tha Kurti.

“Në katër vjetët e fundit, Kosova ka investuar qindra miliona euro në blerjen e municioneve dhe sisteme armatimesh, nga mortajat e minahedhësit, e deri te raketat anti-tank Javelin dhe fluturaket pa pilotë Bajraktar. Kemi blerë mijëra pushkë dhe miliona municione, teksa kemi bërë hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake me fabrikën e municioneve dhe të prodhimit të dronëve ‘Made in Kosova’”, tha ai.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti ritheksuan edhe një herë përkushtimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për integrim në Bashkimin Evropian dhe në organizatat euro-atlantike.

This image has an empty alt attribute; its file name is NEWBORN-ne-17-vjetorin-e-pavarese-se-Kosoves-Prishtine.jpg

Simboli i Pavarësisë së Kosovës, “NEWBORN”, i cili përcjell çdo vit një nesazh për botën, sivjet ve pasqyron zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, ka thënë se këtë vit ka dashur të shprehë ndikimin e inteligjenca artificiale në jetën tonë të përditshme.

(r.m.)

Comment

*