Ajola Xoxa kundërshton shifrat e SPAK për blerjet online

Tiranë, 17 shkurt 2025 – Pas disa ditësh heshtje, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj reagoi të hënën kundër akuzave të ngritura ndaj saj prej Prokurorisë së Posaçme. Në një mesazh të gjatë në Facebook, në të cilin përdor një gjuhë të ngjashme me Veliajn duke sulmuar mediat dhe prokurorinë, Xoxa kundërshtoi akuzën se ajo kishte shpenzuar rreth 800 mijë euro online për veshje dhe bizhuteri.

“E marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish, kam qenë e detyruar ta nis me vonesë punën për evidentimin e shifrave reale të financave që kanë të bëjnë me mua në atë akt-akuzë të mbushur me të pavërteta”, shkroi Xoxa.

Në reagimin e saj, Xoxa thotë se punësoi ekspertë kontabël dhe pasi verifikoi të gjitha lëvizjet në kartat e saj bankare shpenzimet i rezultuarn 75,025 euro në 10 vjet shpenzime për blerje online.

“Totali i blerjeve të mia online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025)”, thuhet në reagim.

Ndërsa pretendon se shifra e shpenzimeve të përfshira në dosjen hetimore ishte “lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë”, Xoxa nuk ka reaguar sa i përket akuzave se ka përdorur dokumentet e bashkëpunëtorëve të saj për të bërë blerje online dhe nuk i ka deklaruar këto shpenzime në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Sipas vendimit për masë sigurie të Gjykatës së Posaçme, Xoxa akuzohet se ka krijuar një skemë kamflimi për blerjet online, duke përdorur Erlad Ismailin – një nga punonjësit e kompanisë së saj ‘Partners Law‘ për zhdoganimet. SPAK gjeti se në emër të Ismailit, i cili bën një jetë modeste me të ardhura familjare rreth 2,4 milionë lekë në vit, ishin shpenzuar për të blerë rroba të markave si “Louis Vuitton apo Prada” dhe produkte të tjera me një vlerë prej 55,4 milionë lekë në 5 vjet. Ismaili ka dëshmuar në SPAK se blerjet ishin bërë nga Xoxa.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Sipas SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës. Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat.

(Reporter.al)

Comment

*