Prishtinë, 18 shkurt 2025 – Ambasadorët e disa shteteve të QUINT-it dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë kanë zhvilluar takime të ndara me Liderët e partive politike shqiptare në Kosovë, me të cilët kanë diskutuar për hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar takime të ndara me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Theksova se shumica e popullit në Kosovë aspirojnë t’i bashkohen BE-së. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat në mënyrë që të arrihet kjo”, shkroi ai në X, pas takimeve me udhëheqësit e partive politike kryesore.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njoftoi se me Lidhur me ambasadorin Orav ka biseduar për hapat e mëtejmë drejt konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
“Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli”, thuhet në njoftimin për media.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar edhe me ambasadorin francez, Olivier Guerot, dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
“PDKja e konsideron votën shprehje të pjekurisë politike dhe mbështet formimin sa më të shpejtë të një qeverie funksionale dhe të përgjegjshme. Pavarësisht pozicionit tonë politik, interesi i Kosovës dhe i qytetarëve mbetet udhërrëfyesi ynë kryesor përpara”, shkroi Krasniqi në Facebook, pas takimit me ambasadorin francez.
LDK-ja njoftoi se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Orav, kanë diskutuar për qëndrimet e këtij subjekti mbi rezultatet e zgjedhjeve dhe fazën e formimit të qeverisë së re.
“Kryetari Abdixhiku theksoi se LDK-ja e respekton plotësisht vullnetin qytetar të shprehur gjatë këtij procesi zgjedhor dhe po ashtu pret që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbyllë sa më shpejt procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve, duke theksuar se është shumë e rendësishme që ky proces të përfundojë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur çdo vonesë tjetër”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ai është takuar me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, me të cilin ka biseduar për procesin zgjedhor, zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për partneritetin mes dy shteteve.
“Shpreha mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ky partneritet i fuqishëm përbën garancinë më të mirë për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”, shkroi Haradinaj në Facebook, pas takimit me Prattipatin.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka dalë e para në zghedhjet e 9 shkurtit, me 40.84 për qind të votave, PDK-ja ka dale e dyta me 22.5 për qind, LDK-ja e treta me 17.67 për qind, kurse koalicioni AAK-Nisma ka dalë i katërti me 7.45 për qind.
Asnjëra parti nuk i ka siguruar votat e nevojshme për të formuar Qeverinë – pasi nevojiten votat e 61 deputetëve në Kuvendin prej 120 ulësesh – prandaj njohësit e çështjeve politike kanë paralajmëruar se Kosova mund të përballet me turbulenca politike Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit në ditët dhe javët në vijim.
Partitë opozitare, PDK dhe AAK kanë thënë se preferojnë të bashkëpunojnë me partitë që aktualisht janë në opozitë për të formuar ekzekutivin e ri, ndërkaq LDK-ja ka thënë se pret numrëimin përfundimtar të votave për të ofruar qëndrimet e veta politike.
Aktualisht janë duke u numëruar votat e kandidatëve për deputetë. Në fund pritet të numërohen votat e votuesve me kusht, votat e personat me nevoja të veçanta dhe votat e votuesve në disaporë.
(r.m.)