Monodrama “42nd Street” përzgjidhet mes shumë pjesëve konkurruese – Një rast i bukur për komunitetin tonë që të tregojë mbështetje për artistin shqiptar duke u bërë pjesë e publikut që do të ndjekë shfaqjen të mërkurën, të premten dhe të dielën
Nga Ruben Avxhiu

Këtë javë, në Festivalin e njohur të Teatrit në New York do të konkurrojë edhe shqiptari Diar Xani, me shfaqjen “42nd Street”. Ai është autori, regjizori si dhe aktori i kësaj monodrame.
Festivali me famë u ofron artistëve e trupave të ndryshme që të konkurrojnë për çmime të ndryshme. Përzgjedhja për të marrë pjesë në garë është një nder dhe vlerësim. Shfaqja “42nd Street” do të jetë tre herë në skenën e Teatrit
Vetë Diar Xani e sheh këtë pjesëmarrje si një realizim të një ëndrre. “Egzistojne shume festivale në bote, por New York Theater Festival është një ndër më prestigjiozët ndaj ëer mua është nder i madh që po marr pjesë”, thotë ai gjatë një bisede me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York.
Monodrama është titulluar “42nd Street”, sipas Rrugës së famshme të 42-të, në Manhattan, që shquhet për ndriçimin e reklamave që projektojnë luks dhe mirëqënie, ku vërshojnë turistë, por edhe një rrugë që ka tërhequr historikisht, të pastrehë dhe krimin ordiner. Kjo është rruga nga nis sheshi i famshëm Times Square i festave tradicionale të ndërrimit të viteve si dhe i stacioneve të mëdhenj të autobusëve dhe trenave të MetroNorthit.
Përplasja e botëve të ndryshme në këtë rrugë të famshme ka frymëzuar edhe artistin shqiptar së pari si dramaturg.
“Edhe unë qysh ditën e parë kur kam mbërritur në Amerikë, vizitën e parë e kam bërë në 42nd Street”, thotë Diari, “e mendoj që edhe shumë njerëz tjerë i kanë filluar përjetimet dhe vizitat nga kjo rrugë”.
Në skenarin e monodramës që ka shkruar, protagonisti shkon pikërisht në këtë rrugë për të takuar dikë i cili i ka premtuar ndihmë. I ka thënë ta presë në këtë rrugë të njohur, por megjithëse protagonisti e pret gjatë, askush nuk vjen për ta takuar. Pa strehë e pa zgjidhje tjetër në jetë, ai mbetet aty. Rruga bëhet shtëpia e tij. Por edhe vendi nga ku përpiqet të ikë.
Ky koncept është pëlqyer menjëherë nga juria përzgjedhëse e Edicionit të Dimrit të Festivalit të New York-ut që e ka pranuar monodramën “42nd Street” si një nga konkurrueset e reja.
Ka qenë një kurorëzim i një pune të imagjinative nga Diari Xani i cili e ka nisur pa paragjykime shkruajrjen e kësaj monodrame, duke e lënë tekstin ta udhëheqë “mes errësirës së procesit drejt asaj drite të vogël në perspektivë” te e cila thotë se do të mbërrijë vetëm ditën e premierës. Pas punës për shkrimin, fillon ajo e vënies në skenë si regjizor.
“Këtë tekst e kam shkruar kur para pak vitesh edhe unë fillova jetën ne New York, dhe udhëtoja me metro nëpër Qytet për punë, pothuajse çdo ditë. E shkruaja një pjesë në telefonin tim dhe pastaj kur kthehesha nga puna e rishkruaja në kompjuter”, thotë ai. “Shumë tema dhe ngjarje që ndodhin në këtë tekst janë të bazuara në ngjarje të verteta të cilat janë të njohura për shumë njerëz që kanë filluar një jetë të re në Amerikë. Dikush më pak dhe dikush më shumë”.
Megjithatë, ai shpjegon se monodrama është më universale sesa jeta dhe përvoja e emigrantit.
Diar Xani është dashuruar që në moshë të vogël me skenën dhe ka luajtur për herë të parë në moshën 12-vjeçare në teatrin amator të Skënderajt. Më tej jeta e tij është ndërprerë ashtu si ajo e të gjithë të rinjve dhe fëmijëve të brezit të tij, prej luftës dhe dhunës serbe. Në fund liria fitoi, po ashtu edhe vendosmëria e Diarit për të ecur drejt ëndrrës së tij. Studjoi për aktrim në Maqedoni dhe për regjizurë në Prishtinë, të Kosovës. Më tej ka kryer doktoratën në Universitetin e Stambollit, në Turqi. Jeta e skenës e ka çuar në vende të ndryshme duke plotësuar përvojën dhe dijet që ka marrë nga studimet serioze.
“Si aktor kam qenë i angazhuar edhe në disa vende të Evropes si në Gjermani e Zvicer ku luaja si aktor në disa projekte në gjuhën gjermane dhe me një trupë gjermanë në teatrot e qyteteve Bern, Zurich, Berlin, Stuttgart etj”, thotë ai. Doktoratën në Turqi e ka bërë për Radio-TV dhe Kinema.
Në Kosovë ka farkëtuar aftësitë e tij si regjizor, duke fituar një numër çmimesh në festivale të ndryshme.
“Në jetë kam provuar shumë gjëra të ndryshme por asgjë nuk krahasohet me ndjesitë që më dhurojnë arti dhe skena sa herë që realizoj diçka”, thotë Diar Xani.
Në New York, pothuajse të gjithë artistët janë të detyruar së pari të sigurojnë mbijetesën ndërkohë që paralelisht punojnë për të zhvilluar artin e tyre.
“Por një natë po i shikoja disa mundësi për aplikime në festivale dhe kur pashë thirrjen nga New York Theater Festival vendosa ta provoj njëherë”, tregon artisti shqiptar. “Ditët kalonin dhe e harrova fare që kisha aplikuar aty, kur papritur gjeta në email përgjigjen e tyre ku më tregonin se mes shumë aplikimeve kishin zgjedhur shfaqjen time so pjesëmarrëse sepse ideja dhe teksti i shfaqjes u ka pëlqyer shumë”.
Tani ai mezi pret që të vijë dita. “Tek e fundit kjo është një ëndërr e çdo aktori dhe çdo regjisori, nga e gjithë bota, që të luajë në një teater dhe në një festival në New York, në qendrën më të madhe botërore të artit”.
Pas gëzimit të përzgjedhjes, erdhi përplasja me realitetin. Vendosja në skenë e pjesës kërkonte angazhim të madh dhe shpenzime. Inskenimi ka sfidat e veta.
“E kam bërë pa asnjë ndihmë financiare, por me vullnetin dhe me ndihmën edhe të Saranda Rugovës si asistente regjie, pastaj të Arenc Lekës për muzikën, bashkë me Blerina Muçollin dhe si një falenderim i veçantë Fredit nga Producers Club i cili na e ka mundësuar dhe na e ka dhënë skenën në dispozicion të një projekti që është filluar nga disa artistë shqiptarë”, thotë Diar Xani.
Ora e të vërtetës është afër.
Ditën e mërkurë në Hudson Guild Theater në New York, më 26 shkurt, ora 4:00 PM do të jetë shfaqja e parë.
Atë mund ta ndiqni edhe të premten më 28 shkurt, ora 6:30 PM si dhe ditën e dielë më 2 mars ora 1:00 PM.
Nuk ndodh shpesh që të kemi një shqiptar në skenën e Festivalit të Teatrit në New York, ndaj ata që kanë mundësi e dëshirë nuk duhet ta humbin rastin për ta parë.
“Vërtet, lutja jonë tani është që komuniteti ynë të marrë pak kohë dhe të na mbështesë duke ardhur për ta parë këtë shfaqje”, thotë Diar Xani.
I urojmë suksese!
DATAT DHE ORËT E SHFAQJES
E MËRKURË
26 Shkurt @ 4:00PM
E PREMTE
28 shkurt @ 6:30 PM
E DIELË
2 mars @ 1:00 PM
* * *
ADRESA E TEATRIT
Hudson Guild Theater
441 West 26 Street
(between 9th and 10th Avenues)
New York, NY 10001
Biletat mund t’i blini këtu:
https://innovationtickets.com/product/42nd-street-monodrama/



