Nga Ramiz TAFILAJ, Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”
Artisti, publicisti, poeti, humanisti, veprimtari i mirënjohur Fran Gjoka në Michigan të SHBA, i ardhur emigrant nga Puka (i familjes së madhe e të shquar Daka nga Kabashi), mbështetur në njohjen tonë; duke i vlerësuar kontributet e atributet, personalitetin e tij; duke i parë angazhimet e tij me median e veprimtaritë tona, prej janarit 2025 e kemi miratuar që të jetë Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Amerikën.
Fran Gjoka, ndër vite, në veprimtarinë e tij, është i përkushtuar edhe ndaj gazetarisë, publicistikës, letërsisë, prandaj kjo përvojë do i shërbëjnë shumë e mirë në detyrën e tij misionare si Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Amerikën. Ai ka qënë kryeredaktor i Radios “Zëri i Atdheut”. Ka bashkëpunuar me shkrimet e tij me mediat shqiptare në Amerikë e në Atdhe, si me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria Press” në Nju Jork, etj. Vazhdimisht ka shkruar dhe interpretuar krijimtari poetike, ku ma e fundit, e këtyre ditëve, ishte interpretimi artistik e mjeshtëror i një poeme kushtuar Epopesë së Nokshiqit në 145-vjetorin e saj, të cilën e përcolli përmes videos dhe u mirëprit në sallën “Bethoven” të “Emerald Hotel” me pesë yje, në Prishtinë, me 18 shkurt 2025, në Takimin e Madh Kombëtar “Epopeja e Nokshiqit”, me 714 të ftuar nderi nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Europa e Amerika.
Fran Gjoka është një artist i lindur, i cili u aktivizua në moshë të re me Ansamblin “Puka”, si këngtar, instrumentist, drejtues i grupeve muzikore. Ai u rrit bashkë me këngën dhe kënga e rriti emrin e tij, ndërkohë që ishte solist i Ansamblit “Migjeni” në Tiranë dhe mbasandej edhe solist i Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, ansambel profesionist, me kompozitorë e këngëtarë yje të muzikës shqiptare; por edhe në katër dekadat e fundit me veprimtarinë e tij artistike në Amerikë, nga Teksasi deri në Detroit (Michigan).
Fran Gjokën e kam njoft në vitin 1994, kur e ftova Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore në Tiranë për një turne në Amerikë, i cili qëndroi prej atëherit në SHBA, ku e kemi ruajt për tri dekada miqësinë e mirë të përbashkët. Në janar të këtij viti, si mik i Franit dhe “Qytetar Nderi” i Pukës, isha i ftuar në disa veprimtari në Michigan, ku kishin ardhur drejtuesit e Bashkisë Pukë dhe aty na u dha rasti i artë për me bashkëbisedue nga afër me mikun tim Fran Gjoka për “Gazeta e Alpeve”, e cila shpërndahet me abonime në Teksas, Nju Jork, Uashington D.C., Teksas, Nju Xhersi, Florida, Kaliforni, etj.
Fran Gjoka i Pukës e Michiganit është edhe një atdhetar i njohur, i cili ka qënë pjesmarrës dhe ndër organizatorët në të gjitha demonstratat për Çlirimin dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe për Demokracinë në Shqipëri.
Fran Gjoka ka aftësi, përvojë e arritje të mira edhe në veprimtarinë e tij si biznesmen i suksesshëm me bar-restorant-market Frank’s Deli & Gril Restaurant dhe Eastern Market, në Detroit, në një sipërfaqe të madhe dhe funksionale, mjaft të frekuentuar nga komuniteti shqiptarë dhe të tjerët.
Fran Gjoka është një organizator i palodhur dhe ndër kryesorët e veprimtarive artistike në Michigan të SHBA, deri edhe festivale, duke e gjallëruar jetën kulturoro-artistike, duke u mirëpritë nga komuniteti shqiptar i Michiganit.
Fran Gjoka është një humanist i shquar, në dekadat e fundit, në ndihmë të familjeve të varfëra kudo në Trojet Shqiptare, veçanërisht në bashkitë Pukë e Fushë Arrëz, të cilat për kontributet e tij e kanë vlerësuar edhe me titullin e lartë “Qytetar Nderi”, sikurse dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekoruar me Medaljen e Artë “Nënë Tereza”.
Fran Gjoka, për vlerat e tij të larta, për kontributet e tij të shumta e të shumanshme, për përkushtimet dhe arritjet e tij të vazhdueshme, është nderuar me çmime e tij të ndryshëm kombëtar e ndërkombëtar, si “Kavalier i Mijëvjeçarit në Botë”, “Ambasador i Paqes në Botë”, KuqeZi në Përjetësi etj.
Për të gjitha këto angazhime publicistike, letrare e artistike; për aftësitë e tij menaxhuese në bizneset e tij dhe në organizimin e veprimtarive të ndryshme; për humanizmin e tij të lartë; për përkushtimet e tij misionare, do të jetë Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Amerikën, ku puna e tij do ta ngrejnë e lartësojnë emrin, vlerat e veprimtarinë e kësaj gazete Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike-EuroAtlantike.
Prishtinë, 21 shkurt 2025










