Kryetari i Partisë Demokratike, Prof.Dr. Sali Berisha priti dy ditë më parë, në një takim disa miq e mbështetës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mes tyre ishin Ramiz Tafilaj, biznesmen i mirënjohur shqiptaro-amerikan, të cilin ish-kryeministri shqiptar e përshkroi si “intelektual, filantropist dhe botues i shquar, si dhe avokat i palodhur i çështjes kombëtare, laureat i Çmimit Presidencial të Arritjes së Jetës, dhënë nga Presidenti Trump”; pastaj Zek Nokshiqi, biznesmen i njohur shqiptaro-amerikan, zëvendëspresident i komunitetit shqiptaro-amerikan i Teksasit, filantropist dhe veprimtar i palodhur të çështjes kombëtare; Ludovik Tetaj, biznesmen i suksesshëm dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare në Teksas, Florent Zeqaj, gazetar dhe publicist i njohur, si dhe Ramiz Lushaj, drejtor i Gazetës së Alpeve.
Kryetari i PD-së I falenderoi me shumë mirënjohje bashkatdhetarët tanë për mbështetjen e tyre të çmuar për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe “për angazhimin e tyre në promovimin e historisë, kulturës dhe artit të kombit shqiptar”.
Në takimin e zhvilluar të enjten, në Tiranë, u diskutua për organizimin e përkujtimit të përvjetorit të Betejës së Nokshiqit, një betejë e cila, së bashku me betejat e tjera të Plavës dhe Gucisë, Hotit dhe Grudës, u bë djepi i lindjes së ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe që për çerek shekulli pengoi dorëzimin e këtyre trojeve shqiptare Malit të Zi nga Perandoria Osmane.
Në këtë takim, bashkatdhetarët i dhuruan Prof. Dr. Sali Berishës botimin e Prof. Salih Krasniqit, “Krimet serbe në Kosovë 1997-1999”.
Në Shqipëri pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në të cilat për herë të parë do të votojë edhe diaspora shqiptare. Procesi i regjistrimit është ende i hapur.


