Tiranë, 24 shkurt 2025 – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i hedhin poshtë kategorikisht pretendimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erio Veliaj, se prokurori i çështjes kundër tij e ka quajtur “ndyrësirë” në sallën e gjyqit.
Veliaj, i cili gjendet në arrest me burg prej 14 ditësh, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, po publikon përditë në Facebook, pastime të gjata me plot fyerje, akuza e kërcënime në adresë të prokurorit Olsi Dado, si edhe të gjyqtarit që ia shqiptoi masën e sigurisë “arrest me burg”, Erjon Bani.
Të hënën, Veliaj publikoi një imazh, që sipas tij ishte faksimile e një pjese të dialogut të ndodhur në sallë e gjyqit.
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!”, shkroi Veliaj.
Në faksimilen e transkriptit të publikuar nga Veliaj, prokurori Olsi Dado pretendohet t’i ketë thënë atij: “Ndyrësirë”.
Gjykata e Posaçme e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se transkripti i seancës i publikuar nga Veliaj nuk ishte i vërtetë.
“Pjesa e procesverbalit të publikuar nga personi nën hetim, Erion Veliaj në rrjetin e tij social “Facebook” është e pavërtetë”, deklaroi GJKKO në një përgjigje për BIRN.
Gjykata shtoi se fjala “ndyrësirë” nuk është përdorur në asnjë rast në gjykatë.
“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim, Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment,” thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Posaçme.
Në një reagim të ngjashëm, edhe SPAK mohoi vërtetësinë e procesverbalit të publikuar nga Veliaj. “Procesverbali i seancës gjyqësore i datës 12.02.2025, në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo mësipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së”, thuhet në njoftimin e SPAK, të cilit i bashkëlidhet pjesë nga procesverbali i saktë i seancës.
Avokati i Veliajt, Ermir Beta, tha se ai e kishte të vështirë të ishte i saktë për termat e përdorur në seancë.
“Unë i kam vënë në dispozocion klientit audion e seancës. Transkriptimi i saj është bërë nga persona të tjerë. Seanca e datës 12 shkurt ka qenë plot debate, përtej sferës juridike, ndaj e kam të vështirë të jem i saktë për çdo term që ka përdorur prokurori ndaj klientit në seancë,” tha Beta për BIRN.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat, ndërkohë që e kanë portretizuar veten si të persekutuar politikisht nga prokurori i SPAK, Olsi Dado.
(r.m.)