Shënohet 100 vjetori i zgjedhjes së Hasan Prishtinës Kryeministër i Shqipërisë

Prishtinë, 20 maj 2021 – Në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të ardhjes së Hasan Prishtinës në krye të Qeverisë së Shqipërisë (dhjetor 1921), sot nisën aktivitetet dyditore që lidhen me veprimtarinë politike e atdhetare të këtij kolosi të kombit.

Një delegacion i veprimtarëve dhe studiuesve sot vizitoi kullat legjendare në Drenicë dhe në Boletin, në të cilat janë marrë vendime historike në fillim të shekullit të kaluar. Gjatë ditës u bënë vizita në kullat e Isa Boletinit, Ahmet Delisë e Tahir Mehës dhe në kompleksi memorial “Adem Jasahri” në Prekaz.   

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nikoqir i aktiviteteve të sotme në Skënderaj, ndër të tjera, vuri theksin tek ndikimi i familjeve atdhetare në ruajtjen e traditave patriotike të popullit tonë. Ai apeloi që në vigjilje të këtyre aktiviteteve që organizohen për nder të Hasan Prishtinës, të ruhet fryma e bashkëpunimit dhe unitetit brendashqiptar.

Studiuesi Mehmet Prishtina, i cili e mbajti një fjalë rasti në emër të familjeve patriotike, tha se e gjithë vëmendja këto ditë është përqendruar në shënimin e 100 vjetorit të zgjedhjes së Hasan Prishtinës kryeministër i Shqipërisë, që do të përmbyllet me një konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar Hasan Prishtinës.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Prof.dr. Skender Asanim foli për rëndësinë e aktiviteteve përkujtimore për figurën madhore kombëtare, Hasan Prishtinën.

Ai i njoftoi të pranishmitt me idenë e institutit që e drejton që veprimtaritë e këtij viti të zhvillohen në nderim të Hasan Prishtinës, me rastin e 100 vjetorit të zgjedhjes së tij në krye të Qeverisë Shqiptare.

Asani tha se jo rastësisht Hasan Prishtina doli në skenë në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atëherë kur Aleanca Ballknaike donte ta zhbënte nga faqja e dheut elementin shqiptar. Ai theksoi se Hasan Prishtinës i mbeti barra të marrë udhëheqjen e luftës politike e diplomatike, siedhe të luftës së armatosur për mbrojtjen e territoreve shqiptare.

Dr. Asani foli edhe për figurën dhe veprimtarinë e Hasan Prishtinës. Ai  tha se Hasan Prishtina, pas takimit të famshëm në Taksim të Stambollit, kthehet në Kosovë dhe del në ballë të kryengritjeve shqiptare, duke organizuar edhe Kuvendin e Junikut, si pikënisje e një rrugëtimi të rëndishëm hisorik që bënë shqiptarët për të krijuar shtetin e tyre kombëtar.

“Ishte e domosdoshme arritja e unitetti kombëtar, prandaj Hasan Prishtina me bashkëveprimtarët e tij vizitoi kullat e lavdishme në Drenicë dhe në Boletin, disa prej atyre familjeve ndodhen edhe në këtë sallë, në mënyrë që të arrihet një pajtueshmëri në shkallë kombëtare mbi zhvillimet e bujshme që do të pasojnë”, tha ai.

“Në Kuvendin e Junikut Hasan Prishtina projektoi planin politik se çka synojnë shqiptarët, mu në kohën kur po rinkonfigurohej harta e e re e botës. Dhe pikërisht Kuvendi i Junikut artikuloi qartë kërkesat e shqiptarëve që ishte edhe një mesazh për shtetet shoveniste fqinje mbi aspiratën shqiptare për shtetin e tyre kombëtar. Ky mesazh ishte shumë domethënës dhe artikulues sepse asnjëherë më pare nuk kishte ndodhur në lëvizjes kombëtare shqiptare, ku roli i Hasan Prishtinës kishte qenë unikat në kombinimin e luftës diplomatike dhe asaj ushtarake. Kjo kishte ndikuar që të senzibilozohet edhe opinion ndërkombëtar mbi kërkesat e shqiptarëve që morën një platformë unike në Kuvendin e Junikut”, nënvizoi Dr. Asani.

Ai theksoi se duhet potencuar se Hasan Prishtina nuk ishte kryeministër i Shqipërisë administrative, sepse ai i përfaqësonte interesat e gjithë shqiptarëve në territoret e pushtuara.

“Hasan Prishtina dërgoi mesazh të qartë se interesat kombëtare të shqiptarëve janë një dhe të pandashme, andaj u mbeti gjeneratave të ardhshme që ta realizojnë këtë aspiratë sublime të Hasan Prishtinës”, theksoi  Asani.

Gjatë vizitës në kullën e Isa Boletinit, e cila është një prej simboleve të rezistencës kobëtare, u evokuan kujtime për ngjarje dhe për figura të rëndësishme të historisë së rezistencës.

Gazmend Boletini, nipi i Isa Boletinit, i njoftoi të pranishmit me ngjarje e vendime historike që janë marrë në këtë kullë.

Dr. Skender Asani foli  këtu për figurën e Isa Boletinit, i cili është simbol i rezistencës së armatosur kundër pushtuesve të  tokave shqiptare.

(r.m.)