Tre vjet, tri javë, tri ditë: kohë sprove për sigurinë e Evropës

Jonathan Hargreaves

Tre vjet më parë, Evropa ndryshoi për keq. Pushtimi nga Rusia i një vendi sovran evropian ishte një shkelje e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Kartës së OKB-së, e kryer nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tri javë: ky ishte supozimi i sigurt që rusët kishin për kohën që Ukraina do të mund të rezistonte. Tre vjet më vonë, Kievi mbetet qytet i lirë, presidenti Zelensky dhe populli i tij kanë treguar se çfarë është rezilienca, liria e vërtetë dhe demokracia.

Tri ditë në Mynih, në Konferencën vjetore të Sigurisë, u shënuan nga mesazhi i administratës amerikane, të cilin disa në Evropë mund të mos e kenë pëlqyer, por ndaj të cilit të gjithë duhet të përgjigjemi.  Ne duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë.

Në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, ne mund të mbajmë vendet tona të sigurta vetëm nëse punojmë së bashku: ky ishte mesazhi që kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kishte çuar në Bruksel dhjetë ditë më parë, në Samitin e BE-së mbi mbrojtjen dhe sigurinë.   Kjo do të thotë që Evropa duhet të investojë më shumë në mbrojtje për të mirën tonë dhe për të siguruar që SHBA-ja të mbetet e përkushtuar për të luajtur rolin e saj thelbësor në sigurinë transatlantike. 

Dhe për Kosovën, siguria dhe mbrojtja e së cilës janë të garantuara nga partnerët e saj të NATO-s, kjo nënkupton koordinim dhe bashkëpunim të përpiktë me këta partnerë për të minimizuar rreziqet e sigurisë dhe për të përshpejtuar rrugën drejt një pranie minimale.

Katalogu i krimeve në sulmin barbar të Rusisë kundër Ukrainës është tronditës: rrëmbimi, vrasja dhe tortura e popullsisë civile; deportimi i detyruar i fëmijëve; përdhunimi dhe dhuna seksuale; përdorimi i armëve kimike; sulmet e qëllimshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe ushqimore të popullsisë civile. 

Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë një neveri të thellë ndaj pushtimit të Ukrainës, një kuptim të përbashkët të implikimeve të mosveprimit, si dhe vendosmërinë për të siguruar që Putin të mos fitojë. 

Mbretëria e Bashkuar ka dhënë mbi 15 miliardë euro në ndihma ushtarake, ekonomike dhe humanitare që nga viti 2022, duke përfshirë 5 miliardë paundë në ndihma humanitare, në sektorin e energjisë dhe rindërtimit.  Ne do të shpenzojmë të paktën 3 miliardë paundë në vit deri në vitin 2030 për të mbështetur Ukrainën. Ne jemi krenarë që po bashkëpunojmë me Kosovën për të mbështetur rezistencën e Ukrainës.  Kontingjenti më i fundit i instruktorëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis për në Mbretërinë e Bashkuar muajin që shkoi, për t’u bërë pjesë e programit për trajnimin e ushtarëve ukrainas.

Shumë po bëjnë shumë, por të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë.  Britania do të investojë më shumë në mbrojtjen e vet dhe do të jetë ambicioze për bashkëpunim më të madh MB-BE dhe për një rol të zgjeruar evropian në NATO. 

Në lidhje me Ukrainën, Evropa duhet të luajë rolin e saj të plotë në përpjekjet më të gjera për të siguruar paqe të fortë dhe të qëndrueshme që siguron lirinë dhe prosperitetin e Ukrainës dhe parandalon agresionin e ardhshëm rus.   Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme është jetike për Ukrainën dhe për sigurinë dhe prosperitetin më të gjerë euro-atlantik dhe ndërkombëtar. Kjo do të kërkojë aranzhime të forta sigurie nga fillimi, të cilat sigurojnë që Rusia të mos jetë kurrë më në gjendje të pushtojë sërish.  Putini ka treguar shumë herë se nuk ngurron të thyejë një marrëveshje të dobët. 

NATO ka bërë zotim afatgjatë ndaj Ukrainës se është në rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit, siç është rënë dakord nga aleatët në Samitin e Uashingtonit vitin që shkoi.  Ne qëndrojmë pranë këtij zotimi, ashtu siç qëndrojmë pranë dëshirës sonë për të punuar me Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit eventual në NATO. 

Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të luajë rol kryesor në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, së bashku me partnerët evropianë dhe SHBA-në, duke përfshirë dislokimin e trupave britanike në terren, nëse është e nevojshme.  Këto nuk do të jenë vendime të lehta, por alternativa është tejet e zymtë për t’u marrë parasysh.  Historia na mëson se marrja e veprimeve parimore kur është e nevojshme, edhe kur kostoja është e lartë, është gjëja e duhur dhe e mençur për të ardhmen.

 

(Autori është ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë)