Prishtinë, 25 shkurt 2025 – Policia e Kosovës njoftoi se në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë, është ndaluar një person i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
I dyshuari D.R. dyshohet për krime lufte në komunën e Gjakovës, gjatë periudhës 7-10 maj 1999. Sipas policisë, i dyshuari kishte vepruar “në grup të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP)”.
Policia tha se i dyshuari është intervistuar nga zyrtarët policorë, në prani të avokatit të tij mbrojtës. Pas intervistimit, ai është ndaluar për 48 orë.
“Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.
Policia nuk e ka publikuar identitetin dhe as pëkatësinë e të ndaluarit.
Por, nga reagimi i partisë më të madhe serbe në Kosovë e cila kontrollohet nga Beogradi, Lista Serbe, i ndaluari është një serb 75 vjeça, që ishte duke ardhur nga Serbia në Kosovë për të vazhduar afatin e dokumenteve personale. Në reagim mohohet se i ndaluari nuk ishte i përfshirë në ndonjë formacion gjatë konfliktit në Kosovë.
“D… është familjar në dekadën e tetë të jetës së tij, që sipas djalit të vet, kurrë s’ka qenë i përfshirë në ndonjë formacion gjatë konfliktit dhe është aktualisht seriozisht i sëmurë dhe me demencë, për çka familja e tij frikësohet për kushtet psikofizike”, thuhet në reagim të Listës Serbe.
Kohët e fundit, organet e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur dhjetëra aktakuza lidhur me krimet e kryera gjatë luftës.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 persona dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. Mbi 1.600 qytetarë të Kosovës gjenden në listen e personave të zhdukur. Pjesa dërmuese e tyyre janë shqiptarë, kurse të tjerët janë serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë.
(r.m.)