Piter Feith këshillon liderët e Kosovës: Mos e merrni të mirëqenë mbështetjen e SHBA-së, tash e tutje

Tiranë, 25 shkurt 2025 – Pieter Feith, ish-përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, tha se klasa politike në Kosovës nuk duhet ta marrë të mirëqenë mbështetjen e SHBA nën drejtimin e Donald Trump.

Feith, në një intervistë për Euronews Albania, tha se administrata e re amerikane është duke e shikuar interesin ekonomik mbi gjithçka tjetër dhe, në këtë kuadër, Serbia është shumë më tërheqëse se Kosova, sepse ajo ka minerale për të cilat ka interes SHBA.

“Kam një këshillë miqësore për klasën politike në Kosovë: tash e tutje mos e merrni si të mirëqenë mbështetjen amerikane. Gjërat kanë ndryshuar. Në dialogun me Serbinë, Serbia është tërheqëse jo vetëm për BE-në por edhe për SHBA-në, për shkak të mineraleve që përbëjnë interes për SHBA, që në ditët e sotme po e shikon të ardhmen përmes Inteligjencës Artificiale. Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë se duhet të jetë fleksibile ku të jetë e nevojshme, sigurisht, pa prekur interesin nacional të saj. Do ishte mençuri të normalizojë sa më parë marrëdhëniet me Serbinë”, tha ai.

(r.m.)