Kurti: Qytetarët presin që Lëvizja Vetëvendosje t’i formojë institucionet e reja

Prishtinë, 26 shkurt 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Lëvizjes Vetëvendosje, partisë të cilën e drejton ai, i takon t’i formojë institucionet e reja të shtetit.

“Si fitues të qartë të zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9 për qind, e pasur nga Partia Demokratike me 22.03 për qind, Lidhja Demokratike me 17.64 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma me 7.46 për qind.

Në këto rezultate nuk janë përfshirë votat nga diaspora, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, provesi i numërimir të të cilave do të fillojë sot (e mërkurë). Kurti tha se rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më së largu javën e ardhshme.

“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave. Sot fillon numërimi i votave të diasporës dhe sipas KQZ-së më së largu javën e ardhshme i kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Të gjithë presim nga KQZ më shumë angazhime për procesin e përfundimit të numërimit të votave”, tha ai

Kurti vlerësoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke përfshirë edhe votimin e diasporës, i cili ka arritur nivelin më të lartë të votimit ndonjëherë.

“Pjesëmarrje më të lartë në zgjedhje pati dhe diaspora, e cila pati mundësi të japin votën e tyre edhe me postë edhe përmes ambasadave e konsulatave tona”, tha ndër të tjera ai.

Kurti tha se gjatë mandatit të tij si kryeministër, qeveria është angazhuar dhe ka pasur sukses në përmirësimin e shërbimeve për mërgimtarët. Në këtë kontekst, ai e veçoi njohjen e patentë shoferëve të Kosovës në shtetet ku ata jetojnë.

“Një nga lehtësimet më të mëdha është dhe njohja e patentë shoferëve, siç është Gjermania. Muajin e kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë dhe tash fillon edhe me Austrinë. Pas këtyre në proces të finalizimit të njohjes së patentë shoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe me Turqinë”, tha Kurti.

(r.m.)

Comment

*