Prishtinë, 21 maj 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten u ka dërguar ftesa për takime liderëve të tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Enver Hoxhaj, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë ftuar në takime të veçanta.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se takimet planifikohet të mbahen javën e ardhshme. Në njoftim thuhet se këto takime “do të jenë në shërbim të bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Kosovës”.
Ndonëse nuk thuhet në njoftim, në takimet e Kurtit me krerët e partive opozitare pritet të diskutohet për dialogun me Serbinë. Kurti ka deklaruar disa herë se aido të konsultohet me gjithë spektrin politik para se të rifillojëdialogu me Serbinë.
Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka paralajmëruar se takimi i parë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet para datës 22 qershor.
Kurtit ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të zhvillohet “sikurse në të kaluarën”.
“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, ka thënë Kurti, të martën, pas darkës së punës së udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Joseph Borrell.
(r.m.)