SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahia

Tiranë, 26 shkurt 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 26 shkurt përfundim e hetimeve paraprake ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i akuzuar për veprën penale  të pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës. Po ashtu, SPAK i kërkon gjykatës kalimin e çështjes për gjykim.

Në njoftim thuhet se Spahia, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, ka marrë dy vendime në korrik të vitit 2022, për të liruar nga detyra administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve, shtetasin M.M dhe ka emëruar në këtë detyrë shtetasin A.B.

I larguari nga detyra ka ushtruar padi në gjykatë, që e ka pranuar kërkesën e tij dhe po ashtu ka vendosur pezullimin e dy akteve të nxjerra nga Spahia për emërimin e administratorit të ri, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata lidhur me këtë çështje.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Spahia, megjithëse ka qenë në dijeni të vendimit të gjykatës që ishte i qartë dhe i ekzekutueshëm në mënyrë të menjëhershme, e ka anashkaluar këtë urdhërim gjyqësor. Spahia ka nxjerrë disa ditë më vonë tre vendime të tjera, përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin M.M., dhe ka emëruar të njëjtin person si administrator. Këto veprime vlerësohet se janë kryer me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

“Mosrespektimi i vendimit gjyqësor që përbën titull ekzekutiv cënon në thelb shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike”, citohet në njoftimin e SPAK dhe nënvizohet se nëpunësit publikë të cilëve një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore, nëse është i mbështetur ose jo në ligj.

Bardh Spahia mori detyrën e kryetarit të Bashkisë Shkodër në mars të vitit 2022, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme vendore të atëhershme, si kandidat i Komisionit të Rithemelimit.

(Reporter.al)

Comment

*