Në Rumani, arrestohet ish-kandidati për president, Calin Georgescu

Bukuresht, 26 shkurt 2025 – Ish-kandidati për President të Rumanisë, Calin Georgescu, është arrestuar të mërkurën.

Në pamjet televizive dhe në fotot e medieve shihet Georgescu duke hyrë në ndërtesën e zyrës së prokurorisë, i shoqëruar nga efektivët e policisë.

Prokuroria e Përgjithshme në Bukuresht ka njoftuar se të mërkurën janë kryer kontrolle edhe në shtpinë e Georgescut dhe në shtëpitë e mbështetësve të tij në gjithë vendin.

Kanali rumun i lajmeve Antena 3 CNN raportoi se Georgescu po merret në pyetje në lidhje me financimin e fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar.

Zyra e prokurorit ka nisur hetimet ndaj Georgescut në lidhje me financimin e paqartë të fushatës elektorale vitin e kaluar.

Politikani me lidhje të ngushta me Rusinë fitoi papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Por, pak para raundit të dytë të zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese anuloi raundin e parë të zgjedhjeve, për shkak të parregullsive në financimin e fushatës.

Shërbimet sekrete raportuan për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore.

Georgescu dëshiron të kandidojë sërish në zgjedhjet e reja të 4 majit. Ai është kritik i ashpër i mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur ende nëse Georgescu do të lejohet të kandidojë. Afati i fundit për miratimin e të gjitha kandidaturave është data 15 mars.

(r.m.)