Hagë, 27 shkurt 2025 – Hashim Thaçit i është refuzuar kërkesa e dytë për vizitë humanitare në Kosovë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masslot, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë në mënyrë që t’iu mundësohet ta vizitojë babain e tij.
Sipas mbrojtjes, babai i Thaçit ka pësuar një keqësim të gjendjes shëndetësore që nga vendimi i parë për refuzimin e vizitës në Kosovë në janar të këtij viti.
Sipas vendimit, mbrojtja ka propozuar edhe vendin e vizitës e po ashtu se kush mund të jetë shoqërues, informata këto të cilat janë të redaktuara.
“Mbrojtja kërkon që vizita të bëhet në [REDAKTUAR] dhe të jetë e shoqëruar nga [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.
Veç kësaj, aty thuhet se mbrojtja kundërshton faktin se Thaçi paraqet rrezik të arratisjes megjithatë ata pretendojnë se ky konstatim i gjyqtares së procedurës paraprake mund të zbutet përmes masave dhe kushteve të njëjta që ishin vendosur në dy rastet e mëparshme kur ai ishte liruar përkohësisht për arsye humanitare.
Ndërsa, ZPS-ja ishte përgjigjur në këtë kërkesë të mbrojtjes duke thënë se babai i Thaçit nuk është i shtruar në spital por në një vend, informacioni për të cilin është i redaktuar për publikun.
ZPS-ja pretendon se liria e kërkuar nga Thaçi paraqet rrezik për pengim dhe ndërhyrje në drejtësi ashtu sic e kishte theksuar edhe në kërkesën e parë të Thaçit për këtë vit lidhur me lirimin e përkohshëm.
“ZPS pohon se nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka qëllim ta miratojë Kërkesën e Dytë për Lirim, çdo vizitë e autorizuar duhet të jetë plotësisht e shoqëruar dhe të jetë e kufizuar në një (1) ditë vetëm, dhe të gjitha kushtet që lidhen me vizitat e mëparshme duhet të aplikohen”, thuhet në vendim.
Kurse, Administratorja ka theksuar se babai i Thaçit nuk është aktualisht në spital dhe se Thaçi ka mundësi që të qendrojë në kontakt të ngushtë me të përmes videotelefonatave.
Ndërsa në vendimin e saj, gjyqtarja ka kujtuar se liria e përkohshme për arsye humanitare është masë përjashtuese.
“Disa faktorë mund të jenë të rëndësishëm për këtë vlerësim, si faza e procedurës, natyra e krimeve, karakteri i të akuzuarit, graviteti i sëmundjes së të afërmit, lidhja familjare dhe mundësia e pushimit të shoqëruar. Vizita e një të afërmi në gjendje kritike është pranuar si një arsye humanitare që justifikon lirim të përkohshëm në rrethana të caktuara”, thuhet në vendim.
Vendimi vijon duke treguar se gjyqtarja është e vetëdijshme që babai i Thaçit është në moshë të avancuar por që tani për tani nuk ka ndonjë informacion që tregojnë se gjendja e tij shendetesore është kritike.
Si rrjedhojë, gjyqtarja ka refuzuar kërkesën e Thaçit për lirim të përkohshëm në Kosovë për ta vizituar babain e tij.
Thaçi kishte bërë kërkesë me 31 janar 2025 nga gjyqtarët në të dy rastet e tij (atë për krime lufte dhe atë për administrim të drejtësisë) që ta lirojnë për vizitë humanitare në Kosovë. Sipas vendimit të 31 janarit 2025, mbrojtja e Thaçit kishte paraqitur se gjendja shëndetësore e babait të klientit të tij përben rrethana urgjente dhe të jashtëzakonshme që justifikojnë lirimin e Thaçit për arsye humanitare. Në të dy rastet, kërkesa e tij ishte refuzuar.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.