Kërkesa për regjistrimin e të huajve në SHBA

Nëse nuk keni dokumenta, kontaktoni menjëherë avokatin tuaj

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kieran Both (komunikim shqip në adresën: [email protected]

Më 20 janar 2025, Presidenti Trump lëshoi urdhrin ekzekutiv “Protecting the American People Against Invasion” (Për të mbrojtur popullin amerikan nga pushtimi), ku i jepen udhëzime Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) që të sigurojë përmbushjen nga të huajt të detyrimit që ata kanë për t’u regjistruar pranë qeverisë, sic parashikon seksioni 262 i ligjeve të emigracionit (INA) (8 U.S.C. 1302), si dhe të garantojë trajtimin e mosrespektimit të këtij detyrimi si një përparësi në zbatimin e ligjit civil dhe atij penal.

Sipas ligjeve të Emigracionit të SHBA-së (INA) duhet që, me përjashtim të një numri të kufizuar rastesh, të gjithë të huajt nga mosha 14 vjeç e lart, të cilëve nuk iu janë marrë shenjat e gishtave ose nuk janë regjistruar kur kanë aplikuar për vizë amerikane dhe që kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara për 30 ose më shumë ditë, të aplikojnë për regjistrim dhe për dhënien e shenjave të gishtërinjve. Në mënyrë të ngjashme, prindërit dhe kujdestarët duhet të bëjnë regjistrimin e fëmijëve të tyre nën moshën 14 vjeç. Brenda 30 ditëve nga dita kur fëmija ka mbushur 14 vjeç, fëmija i huaj që ka qenë i regjistruar më parë duhet të aplikojë për riregjistrim dhe për dhënien e shenjave të gishtërinjve.

Sapo një i huaj të jetë regjistruar dhe të paraqitet për të lënë shenjat e gishtërinjve (përveç rasteve të përjashtimeve nga ky detyrim), DHS-ja do t’u lëshojë dëshmi regjistrimi, të cilat të huajt mbi moshën 18 vjeç duhet t’i ruajnë dhe t’i mbajnë me vete gjatë të gjithë kohës.

Është detyrim ligjor i të gjithë të huajve të paregjistruar (ose fëmijëve të regjistruar më parë që mbushin 14 vjeç) në Shtetet e Bashkuara që të përmbushin këto kërkesa. Mosrespektimi do të rezultojë në dënime penale dhe civile, deri në vënie gjobash dhe ndjekje penale për shkelje ligji.

Shumica e të huajve në Shtetet e Bashkuara tashmë janë regjistruar, siç kërkohet me ligj. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i të huajve të pranishëm në Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur asnjë mënyrë direkte për t’u regjistruar dhe për të përmbushur detyrimin e tyre sipas INA 262. Në mënyrë që të huajt e paregjistruar të mund të përmbushin detyrimin për regjistrim sipas INA 262, USCIS-i po krijon për këtë qëllim një formular dhe proces të ri. Asnjë i huaj nuk do të ketë më një justifikim për t’i bërë bisht respektimit të këtij ligji.

Regjistrimi nuk përbën status emigrimi dhe dokumentacioni i regjistrimit nuk shërben si autorizim punësimi dhe as nuk të jep ndonjë të drejtë ose përfitim tjetër sipas INA-s ose ndonjë ligji tjetër të SHBA-së.

Indianëve të Amerikës të lindur në Kanada, të cilët hynë në Shtetet e Bashkuara sipas nenit 289 të INA-s, dhe anëtarëve të Bandës së Indianëve Kickapoo të Teksasit që hynë në Shtetet e Bashkuara sipas Texas Band of Kickapoo Act, nuk u kërkohet të regjistrohen.

Kush është regjistruar tashmë?

Kushdo që ka marrë një nga dokumentet e përcaktuara si dëshmi regjistrimi sipas 8 CFR 264.1(b) quhet i regjistruar. Gjithashtu, kushdo që ka dorëzuar një nga formularët e përcaktuar në 8 CFR 264.1(a) dhe ka dhënë shenjat e gishtërinjve (përvec rasteve kur janë përjashtuar nga ky detyrim) dhe nuk iu është dhënë asnjë nga dëshmitë e përcaktuara në 8 CFR 264.1(b), ka respektuar kërkesën për regjistrim sipas INA 262. Mes të huajve që janë regjistruar tashmë përfshihen:

  • Rezidentët e ligjshëm të përhershëm (personat me green card);
  • Personat e huaj të cilëve u është lejuar hyrja në SHBA sipas INA 212(d)(5), madje edhe kur u ka kaluar afati i lejes;
  • Personat e huaj që janë lejuar në SHBA si jo-emigrantë dhe të cilëve u është dhënë formulari I-94 ose I-94w (qoftë si dokument letre qoftë dixhital), madje edhe nëse periudhës së pranimit i ka kaluar afati;
  • Të gjithë personat e huaj të pranishëm në SHBA të cilëve, përpara mbërritjes, u është dhënë vizë emigruese ose joemigruese;
  • Personat e huaj të cilët janë në proces deportimi, nga DHS-i;
  • Personat e huaj të pajisur me leje punësimi;
  • Personat e huaj që kanë aplikuar për green card nëpërmjet formularëve I-485, I-687, I-691, I-698, I-700, madje edhe kur aplikimet nuk iu janë miratuar; dhe,
  • Personat e huaj që janë pajisur me dokumenta për kalimin e kufirit “Border Crossing Cards.”

Kush duhet të aplikojë për t’u regjistruar

Të gjithë të huajt e moshës 14 vjeç e lart, të cilët nuk janë regjistruar dhe nuk kanë dhënë shenjat e gishtave (nëse kërkohet) kur kanë aplikuar për vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë qëndruar aty për 30 ose më shumë ditë. Ata duhet të aplikojnë për regjistrim përpara skadimit të 30 ditëve. Prindërit dhe kujdestarët ligjorë të të huajve nën moshën 14 vjeç, të cilët nuk janë regjistruar dhe qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara për 30 ose më shumë ditë, përpara skadimit të atyre 30 ditëve. Çdo i huaj, i regjistruar ose jo më parë, që mbush 14 vjeç në Shtetet e Bashkuara, brenda 30 ditëve nga dita që mbush 14 vjeçc.

Kush nuk është regjistruar?

Kushdo që nuk është pajisur me një nga dokumentet e përcaktuara si provë regjistrimi sipas 8 CFR 264.1(b) dhe nuk ka dorëzuar një nga formularët e përcaktuar në 8 CFR 264.1(a) si dhe nuk ka dhënë shenjat e gishtave (përvec rasteve kur janë përjashtuar nga ky detyrim), nuk quhet i regjistruar. Si të huaj të paregjistruar përmendim:

Të huajt që gjenden në Shtetet e Bashkuara, por nuk janë inspektuar apo pranuar në kufi ose nuk janë inspektuar dhe nuk u është dhënë leja për të hyrë në SHBA;

Vizitorët kanadezë që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në pikat tokësore të hyrjes dhe nuk u është dhënë dëshmi regjistrimi; dhe,

Të huajt që kanë paraqitur një ose më shumë kërkesa për përfitime nga USCIS-i, të cilat nuk gjenden mes atyre të listuara në 8 CFR 264.1(a), ku përfshihen aplikimet për Deferred Action for Childhood Arrivals ose Temporary Protected Status, por nuk u është dhënë dëshmi regjistrimi.

Si të regjistrohesh

DHS-ja së shpejti do të nxjerrë një formular dhe një proces në mënyrë që të huajt të mund të përmbushin kërkesën për regjistrim. Duke filluar nga 25 shkurti 2025, të huajt të cilëve u kërkohet të regjistrohen duhet të krijojnë një llogari në faqen e USCIS-it për t’u përgatitur për procesin e regjistrimit. Për më shumë informacion, shihni faqen “How to Create a USCIS Online Accounthttps://www.uscis.gov/file-online/hoë-to-create-a-uscis-online-account

Pasi të kryhet procesi i regjistrimit, të huajt do të dorëzojnë regjistrimin e tyre dhe prindërit dhe kujdestarët do të dorëzojnë aplikimet për regjistrim në emër të fëmijëve të tyre nën 14 vjeç, kjo përmes llogarisë së tyre përkatëse në faqen e USCIS-it.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]