Liderët evropianë i kanë dalë krah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pas takimit të tensionuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Në mesazhet e tyre që erdhën njëri pas tjetrit, ata premtuan se vendety e tyre do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe popullin e saj.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se është në anën e Ukrainës.
“Ji e fortë, ji i guximshëm, ji i patrembur. Ti nuk je kurrë vetëm, i dashur President Zelensky. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ka shkruar ajo në X.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvilloi një bisedë telefonike me Volodymyr Zelensky. Ai theksoi se Rusia është agresori dhe ukrainasit janë njerëzit e sulmuar, prandaj, siç u shpreh, “duhet të respektohen ata që po luftuan që në fillim”.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, e siguroi Zelenskyn se ai nuk është vetëm
“I dashur Zelensky, të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”, shkroi ai në një postim në platformën X.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerboc, tha gjithashtu se “Ukraina nuk është vetëm”.
“Gjermania së bashku me aleatët tanë evropianë qëndron e bashkuar përkrah Ukrainës – dhe kundër agresionit rus. Ukraina mund të bazohet në mbështetjen e palëkundur nga Gjermania, Evropa dhe më gjerë. Mbrojtja e tyre e demokracisë dhe kërkimi i tyre për paqe dhe siguri është e jona”, shkroi ministrja gjermane në rrjetet sociale
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se vendi i saj është pëkrah Ukrainës, duke theksuar mbrojtja e vendit fqinj është mbrojtje e Moldavisë
“E vërteta është e thjeshtë. Rusia pushtoi Ukrainën. Rusia është agresori. Ukraina e mbron lirinë e saj – dhe tonën. Ne qëndrojmë me Ukrainën”, shkroi ajo
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se Ukraina nuk do të jetë kurrë vetëm në mbrojtje të sovranitetit të saj:
“Ukrainë, nuk do të ecësh kurrë vetëm”, shkroi Nauseda.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se tani është koha që Evropa të ofrojë mbështetje edhe më të madhe për Ukrainën, duke I shfrytëzuar edhe asetet e ngrira të Rusisë.
“Mbështetja e Estonisë për Ukrainën mbetet e palëkundur. Është koha që Evropa të përparojë. Nuk kemi nevojë të presim që të ndodhë diçka tjetër; Evropa ka burime të mjaftueshme, duke përfshirë asetet e ngrira të Rusisë, për t’i mundësuar Ukrainës të vazhdojë luftën”, theksoi ministri i jashtëm estonez.
Volodymyr Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pas debatit të nxehtë me Trumpin. |elensky e kritikoi Trumpin për “zbutje të qëndrimit” ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, gjë që e hidhëroi shumë Trumpin.
“Ju jeni duke luajtur bixhoz me jetët e miliona njerëzve. Ju jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, tha Trump
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, e akuzoi Zelenskyn për “mungesë respekti” ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump.
Pas këshillimit me bashkëpunëtorët e tij, Donald Trump i udhëzoi sekrertarin e shtetit Marko Rubio dhe këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, t’ia përcillnin Zelenskyt mesazhin se duhet të largohej nga Shtëpia e Bardhë.
(r.m.)