Prishtinë, 2 mars 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Këtë e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin”, ka thwnw ajo.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.
Ndryshe, shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia. Sulmin e kanë dënuar ashpër edhe ndërkombëtarët.
Lidhur me këtë rast gjatë kontrolleve në veri, Policia ka sekuestruar armë, municion, e pajisje tjera.