Paris, 5 mars 2025 – Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Këshillin e Evrpës (KE) bëri të ditur se kërkesa e Kosovës që të jetë mysafire speciale në Asamblenë Parlamentare (AP) të KE është hequr nga rendi i ditës nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i KE.
Kjo kërkesë ishte në rendin e ditës së takimit të Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, në Paris.
Ariana Musliu Shoshi, anëtare e delegacionit të Kosovës, njoftoi se kërkesa për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës u paraqit nga kryetari i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), eurodeputetit Pablo Hispan, dhe u miratua me shumicë votash.
” Në fillim të takimit, me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi.
Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, shkroi ajo në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, u shprehu “mirënjohje të madhe” mqve të Serbisë që e pamundësuan avancimin e statusit të Kosovës në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i Komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Bërnabiq.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mund t’ua japë statusin e mysafirit të veçantë parlamenteve kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë anëtare, por kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarët e delegacionit të mysafirit special mund të marrin pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare, por nuk kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të mbajnë fjalim, me leje të presidentit të Asamblesë.
Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se anëtarësimi i saj u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar një grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.
(r.m.)