I dërguari amerikan udhëtoi për në Arabinë Saudite për bisedime me palën ukrainase

Uashington, 6 mars 2025 – I dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha të enjten se do të shkojë në Arabinë Saudite për të biseduar me përfaqësuesit ukrainas rreth një armëpushimi lidhur me mundësinë e ndalimit të agresionit rus, raportoi Zëri i Amerikës.

“Aktualisht po bisedojmë për të koordinuar një takim me palën ukrainase në Riad, ose në Jeddah”, tha Witkoff.

“Synimi është arritja e një kornize për një marrëveshje paqeje dhe gjithashtu një armëpushimi fillestar”, shtoi ai.

Witkoff tha se Presidenti Trump beson se udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka ndryshuar qëndrimin pas takimit në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar.

“Ai mendon se letra nga Zelenskyy ishte një hap i parë shumë pozitiv. Shprehej ndjesë. Pranohej se Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për Ukrainën dhe shprehej mirënjohje”, tha ai.

Në fillim të javës, Presidenti Trump urdhëroi pezullimin e ndihmave ushtarake amerikane për Ukrainën pas takimit të javës së kaluar me Presidentin Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara, për momentin, i kanë dhënë fund ndarjes së të dhënave të zbulimit me Ukrainën. Sidoqoftë, kjo ka të ngjarë që jetë afatshkurtër pasi Presidenti Zelenskyy shprehu keqardhje për shkëmbimet në Zyrën Ovale me Presidentin Trump dhe se Ukraina është gati për bisedime paqeje me Rusinë.

Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës të dhëna zbulimi të konsiderueshme, përfshirë informacione kritike që i nevojiten ushtrisë ukrainase për të vënë në shënjestër forcat ruse.

Arritja e një marrëveshjeje paqeje mund të jetë e vështirë. Ukraina ka kërkuar prej kohësh respektimin e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht në vitin 2014, përpara se Rusia të aneksonte Krimenë.

Aktualisht Rusia mban rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, dhe është zotuar të mos i kthejë asnjë pjesë qeverisë së Kievit.

(r.m.)

Comment

*