Delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës pritet të takohen javën e ardhshme në Arabinë Saudite

Kiev / Uashington, 7 mars 2025 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njodtoi se të hënën e ardhshme ai do të shkojë në Arabinë Saudite, ku do të takohet me Princin e Kurorës, ndërsa ekipi i tij do të zhvillojë bisedime me delegacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Të hënën e ardhshme, kam planifikuar një vizitë në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës. Pas kësaj, ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët tanë amerikanë. Ukraina është më e interesuara për paqen,” shkroi Zelensky në një postim në X.

Ai theksoi se Ukraina angazhohet për “paqe të shpejtë dhe të qëndrueshme”.

Edhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi se delegacioni amerikan do të takohet me delegacionin ukrfainas, por tha se detajet e takimit janë ende në diskutim e sipër.

I dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i cili ka edhe një rol udhëheqës në bisedimet për Ukrainën, tha se bisedimet me delegacionin ukrainas ka të ngjarë të zhvillohen në Riad ose Xheddah.

“Unë mendoj se diskutimi më i madh për ne… është të arrihet një marrëveshje paqeje,” tha ai.

 Takimi i delegacioneve të SHBA-së dhe Ukrainës konsiderohet si një hap i kujdesshëm në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, pa përfshirjen e presidentëve Donald Trump e Volodymyr Zelensky, mes të cilëve pati përplasje serioze në Shtëpinë e Bardhë, më 28 shkurt.

Dy ditë pas takimit, Zelensky reflektoi për qëndrimin që mbajti në takimin me Trumpin. Ai i shkroi Trumpit letër ku i hapi rrugë nënshkrimit të marrëveshjes mineralet e rralla të Ukrainës, të cilën e cilësoi si “hap të parë shumë pozitiv”.

(r.m.)

Comment

*