Nga Ruben Avxhiu
SHBA është një nga vendet ku ende ekziston dënimi me vdekje. Por, ajo që sheh më rrallë në ditët tona është dënimi me pushkatim.
Duket si një nga ato gjëra që tani i sheh vetëm në filma.
Dje, në 7 mars, 2025, shteti South Carolina (Karolina e Jugut) ekzekutoi një të dënuar me vdekje me pushkatim. Kjo është hera e parë që ndodh në historinë moderne edhe të këtij shteti.
Bëhet fjalë për 67-vjeçarin Brad Sigmon, i dënuar në 2001 për vrasje të dyfishtë.
Mesa duket ka qenë ai vetë që ka zgjedhur të vdesë në këtë mënyrë. Dy alternativat e tjera ishin në karrigen elektrike ose një injeksion me gjilpërë.
Sigmon ishte u dënuar me vdekje pasi gjatë një përpjekje për të rrëmbyer me forcë ish të dashurën, vrau prindërit e saj dhe kur ajo arriti të shpëtonte e qëlloi edhe atë, ndonëse nuk arriti ta vriste.
Si në raste të tjera dënimi me vdekje, një fushatë intenstive për të siguruar faljen dhe kthimin e dënimit në burgim të përjetshëm i parapritu ngjarjes. Me sa duket Sigmon kishte 20 vjet që jetonte i penduar për vrasjet, i ishte kthyer besimit te Zoti dhe falej rregullisht çdo ditë.
Në fund, guvernatori i shtetit, Henry McMaster refuzoi lutjet për mëshirë.

Si bëhet ekzekutimi
I burgosuri nuk vendoset pas një muri. Gjithshka përsëri ndodh në mjedise të brendshme. Ai ulet në një karrige metalike dhe lidhet në mënyrë që të mos largohet dot, ashtu si do të ndodhte për llojet e tjera të ekzekutimit.
Si tregohet në figurë, pushkatuesit qendrojnë katër metra e gjysëm larg të dënuarit, të cilit i vihet një thes i vogël në kokë ndërsa në gjoks projektohet një dritë e vogël për të orientuar ekzekutuesit se ku të marrin nishan.
Në rastin e djeshëm në South Carolina, tre vetë kryen ekzekutimin. Ata u zgjodhën nga disa prej punonjësve të Qendrës së Korrektimit, që të gjithë vullnetarë për të marrë pjesë në ekzekutim. Duket se ndonëse raste të tilla janë të rralla, punonjësit stërviten një herë në muaj, duke bërë qitje dhe simuluar ekzekutimin. Provat bëhen edhe për ekzekutimet e tjera me injeksion dhe karrige elektrike.
Ligji e kërkon që tre përfaqësues të medias të jenë dëshmitarë të ekzekutimit. Po ashtu mund të jenë dëshmitarë edhe të afërm të viktimave. Për këtë krijohet një dhomë e dëshmitarëve që ndjek ekzekutimin nëpërmjet një ndarjeje me xham.
Në këtë rast, xhami normal ishte zëvendësuar me një lloj xhami anti-plumb për të shmangur ndonjë aksident.

Dënimi me vdekje
Mbështetja për dënimin me vdekje ka rënë në SHBA, por ende ka shumicën (53%). Disa shtete e kanë hequr, por ai ende është ligj edhe në nivelin federal. Dënimet jepen gjithnjë e rrallë por radha e atyre që presin ekzekutimin mbetet e gjatë, e trashëguar nga dënimet e mëparshme. Gjatë vitit të kaluar u ekzekutuan 25 vetë në nëntë shtete amerikane.
Përpara se të mbaronte mandatin Presidenti Joe Biden fali 37 të dënuar me vdekje në burgjet federale, nga 40 që prisnin ekzekutimin. Tre të tjerët janë të dënuar për terrorizëm dhe vrasje masive prej urrejtjes. Të dënuarit me vdekje në burgjet shtetërore mund të falen vetëm nga governatorët përkatës.
Vetëm pesë shtete në SHBA ende lejojnë pushkatimin si mjet ekzekutimi për dënimet me vdekje: Idaho, Mississippi, Oklahoma dhe Utah. South Carolina iu është shtuar në 2021.